Shkup, 12 shtator – Të gjithë personat fizikë të cilët gjatë vitit 2018 kanë realizuar të ardhura, duke i përfshirë edhe ata që kanë marrë vetëm pagë dhe pension, duhet në mënyrë elektronike të regjistrohen në Drejtorinë për të Ardhura Publike në sistemin E-tatimi personal.
Nga DAP, siç u theksua në konferencën e sotme për shtyp, u bëjnë thirrje qytetarëve këtë ta bëjnë sa më shpejt dhe të mos pritet afati i fundit 31 dhjetor i vitit 2018.
Obligim për regjistrim në sistem kanë të gjithë personat fizikë të cilët kanë realizuar të ardhura në cilëndo bazë – pagë, regres për pushim vjetor, të ardhura për qira, fitime nga lojërat e fatit, nga jashtë vendit, pension dhe të ardhura të tjera të cilat i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat personale, për shkak të pranimit të fletëparaqitjes së plotësuar vjetore tatimore që nga 1 janari i vitit 2019 do ta dorëzojë DAP-i.
Personat fizikë do të duhet në mënyrë elektronike të paraqiten në sistemin e-pdd.ujp.gov.mk. Pasi do të paraqiten përmes rrugës elektronike në sistem më pas i konfirmojnë të dhënat në DAP.
Fletëparaqitjen e plotësuar tatimore vjetore përmes sistemit elektronik DAP duhet ta dorëzojë deri tek qytetarët më së voni deri më 30 prill të vitit 2019, ndërsa qytetarët do të duhet t’i konfirmojnë ose t’i shfrytëzojnë të dhënat nga fletëparaqitja e plotësuar tatimore më së voni deri më 31 maj të vitit 2019.
Në sistemin elektronik deri më tani janë regjistruar 13 mijë qytetarë.