Kur po shënojmë 50-vjetorin e drejtshkrimit apo gjuhës standarde, del në pah se kemi një mal me probleme të vjetra ose të shfaqura ndërkohë, për çka duhet të reflektojnë institucionet gjuhësore dhe shtetërore në drejtim të mbrojtjes së gjuhës shqipe në përdorimin e standardit në media dhe përdorimin në institucionet publike
Nga Daut DAUTI
Sivjet po bëhen një gjysmë shekulli nga themelimi (inaugurimi, marrëveshja…)për gjuhën standarde dhe drejtshkrimin. As pak as shumë, koha është kategori relative. Dhe siç shihet, edhe pse e kemi këtë standard, për shumëçka mungon zelli për ta kultivuar sa duhet këtë gjuhë “sa të bukur, sa të vlerë”, si do të thoshte Naimi. Dikujt i mungon zelli, nga “padrejtësia” historike që njësimi është bërë nën diktat ideologjik dhe e kanë flijuar një krah të rëndësishëm të gjuhës. Të tjerëve ju mungon ndërgjegja dhe kujtojnë se toskërishtja është përfshirë e tëra në standard, dhe vazhdojnë ta flasin dialektin e tyre sikur të ishte vetë standardi! Këta të fundit, për fat të keq, nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë se ka dallim midis gjuhës standarde dhe dialektit të tyre. Dhe e flasin dhe e shkruajnë ku të mbërrijnë, në radio e televizion apo gazeta e revista. Dhe tash mund të themi se jemi në periudhën sikur para standardit, me një serë dilemash dhe pagjeturish!
Media e shkruan kujt si t’i teket, kujt si e ka bazën e vet gjuhësore të origjinës. Intelektualët bëjnë të njëjtën, përveç se nëse janë nga fusha e gjuhësisë.Politikanët kaherë ndihen të fortë në gjithçka dhe nuk kanë kohë të merren me pastërtinë e gjuhës dhe zbatimin e rregullave drejtshkrimore.
Shpesh shih rrushin…dhe të gjithë në një valle vetëshkatërrimi!
Dhe ka nevojë për ndryshime, se gjuha është materie e gjallë. Por, disa kërkesa për to, janë të diskutueshme. Sepse shumëkujt i pengon Q-ja, sepse s’mund të dallojnë nga Ç-ja! Dikujt i pengon Y-ja, sepse në katundin e tij në vend të saj, përdorin I-në. Dikujt i pengon Ë-ja, sepse nuk bën dallimin e shumësit dhe njëjësit përmes kësaj shkronje dhe për ta “një shqiptar” është njësoj si “shumë shqiptarë”, ose s’mund të gjindet te foljet në vetën e parë ose tretë, sepse ka konfuzion logjik në kokë se ku duhet e ku s’duhet Ë-ja…E dikush madje i ka fshirë ca rregulla që natyrshëm i ka shqipja(si psh. rasat e lakimit), sepse më thjeshtë i duket e panatyrshmja! Pra, dilema e dilema, që në vend se në drejtim të duhur, mund të na shpiejnë në labirinthe pa dalje!
E gjendjen nuk e kemi për t’u krenuar.
Fakti se në gjuhë po biem pre e ndikimeve nga shumë “depërtime” gjuhësore nuk mund të jetë ndonjë risi. Në çdo gjuhë ka huazime dhe të pakta janë rastet si te kroatët që përpiqen t’i herrin dhe të ulin në minimum barbarizmat, duke krijuar madje dhe fjalë dhe terminologji të re duke u bazuar në fondin e leksikut të vet. Te shqipja, për fat të keq, është një garë e pashpallur që fjalët shqipe të zëvendësohen sa më parë me fjalë të huaja! Jo vetëm që merren me “tërplotë”, por ka tendencë edhe fjalët shqipe të marrin trajtë të huaj. Një shembull: fjala “short” në median shqiptare është “italianizuar” dhe kurrkush nuk çan kokën përse: “shorteu”!
Më shumë se sa te depërtimi i fjalëve të huaja,- dekadave të fundit edhe për shkak të terminologjisë që dikton teknologjia, ku as që bëhet përpjekje për t’u gjetur fjalë shqipe, – ka një tendencë të çmendur që në dëm të shqipes, të ruhet origjinaliteti i emrave të huaj dhe ndryshe nga ç’thonë rregullat drejtshkrimore, emrat e përveçëm anglezë, gjermanë, francezë etj., shkruhen në origjinal, thua se gjuha shqipe është libri amë për dokumente personale (!!!) që u jep pasaporta ku duhet të shkruhen në alfabetin e tyre! Dhe siç e kam cekur shpesh në shembujt e shumtë që kam dhënë, nuk ndalet kjo dukuri këtu, por vazhdon në fazën tjetër të vetëshkatërrimit, sepse,e kanë shpikur dhe një rregull të re, që ata emra të mos lakohen në rasa ose të shquhen.
Pyetja është më se thelbësore: në bazë të cilave rregulla të gjuhës shqipe emrat e huaj përjashtohen nga shquarja ose lakimi në rasa? Përgjigja mund të ishte kjo: “kështu bëjnë në Shqipëri”! Por, “kështu bëjnë në Shqipëri” nuk është rregull, por një praktikë e mbrapshtë kushedi si ka nisur pas rënies së komunizmit(sepse këso shkeljesh më parë nuk ka pasur).
Motivi për t’i ruajtur emrat e huaj në origjinal, nuk përkon me natyrën e gjuhës shqipe. Hë, sa “bukur” e “shqip” tingëllon të thuash “bisedë telefonike e Bajden me Putin”! Ose: “në dasmën e vajzës së Trump, i ftuar edhe Begjet Pacolli”. Për ironi para disa vitesh duke e përcjellë këtë “trend”, kisha parashikuar se së shpejti edhe emrat shqiptarë nuk do të shquhen ose lakohen nëpër rasa dhe për fat të keq, ky parashikim doli i saktë. Sepse, gjithnjë e më tepër në gazeta, portale e sidomos në televizione, ka hyrë edhe kjo çoroditje. Ja, disa “margaritarë” nga moderatori i njohur Alban Dudushi, i cili në një emision (19 prill 2017), paralajmëroi mysafirë kështu:”…Dhe ftoj Adelina Berisha” (në vend se “ftoj Adelina Berishën) (1) dhe “ftoj në studio Shkëlqim Xika dhe Enver Hoxhaj…” (2), (në vend se ”ftoj Shkëlqim Xikën dhe Enver Hoxhajn”). Ja dhe shembuj tjerë nëpër portale ose telopët e televizioneve që i kam veçuar se deri ku shkon trendi që ka filluar me emrat e huaj dhe tash si pandemi i ka kapluar edhe emrat e shqiptarëve: Moderatorja e shout televiziv Big Brother, Arbana Osmani me gojën plot thotë: “Aty brenda mbetën: Enxhëll, Donald dhe Ilir”, sikur bëhet fjalë për anglezë! (ndonëse, të përkujtoj se një rregull i tillë i gjuhës shqipe as për emra anglezë nuk ekziston!) …Është lapsus, apo vazhdim i inercisë që në emisionin “Opinion” në TV Klan, Blendi Fevzu titullon një nga edicionet e veta kështu: RRËFIMI I RRALLË I PREÇ ZOGAJ?!!! E ka ngrënë gabimisht shkronjën “t”, apo mendon se duhet ta ruajë të pacënuar mbiemrin e Preçit vetëm Zogaj edhe kur duhet “i Preç Zogajt”?! Te një protal nga Kosova, këtyre ditëve, për habinë time kishte shkruar një titull: “Lista Serbe kërkon takim urgjent me Vuçiqin për shkak të targave!”Vini re, emrin e huaj “Vuçiq”e kanë përdorur sipas rregullave të gjuhës shqipe(që ndryshe nga ky shembull, media shqiptare mbiemrat serbë, kroatë, boshnjakë i shkruan gabimisht me “Ç”!), që është një mrekulli në gjithë këtë hallakamë! Por, mrekullia pushon në lajmin vijues të të njëjtit portal: “Kovaçevski në takimin me Vuçiq dhe Rama…” Siç shihet, nuk janë shquar as emri i huaj(Vuçiq), e as emri i kryeministrit shqiptar (Rama)!!! Kështu sigurisht autori ka menduar mos t’i hyjë në hak të huajit, ndaj dhe emrin e shqiptarit nuk e shquan, edhe pse edhe njëri edhe tjetri, duhet të shquhen sipas rregullave drejtshkrimore! Se çmenduria mediatike nuk ka fund, ja një shembull nga një televizion shqiptar, që në ekran ka shkruar: SARANDË, NDERIME PËR VEPRËN E NESTOR MUKO…Ose: “Fotografia në sytë e Ilir Çumani”. Të mos flasim për këtë shembull vijues që është bërë kaherë shprehi: “intervistë me Robert Berisha”!!!
Duhet të na sqarojnë këto media përse ruajtja e origjinalitetit të emrave të huaj(tash edhe të atyre shqiptarë!!!), është më me rëndësi se respektimi i rregullave drejshkrimore të gjuhës sonë???!!! Respekton origjinalitetin, shkatërron gjuhën e vet! Përse në gjuhën serbokroate, që përdorin alfabetin latin, emrat e huaj shquhen dhe lakohen pa problem (nga shembulli i mësipërm shqip, ne serbokroatisht do të shkruhej kështu: “telefonski razgovor Bajdena sa Putinom”). Pra, emrat e huaj në serbisht, kroatisht…,shkruhen pa frikë se si do të duket Xho Bajdeni, Sholci, Xhonsoni…në rasate lakimit, kurse ne u dashka t’u shkojmë për qejfi?! Çka të bëjë një spiker të cilit i shkon teksti para lajmeve për ta lexuar dhe ka një varg emrash të shkruar në gjermanisht, anglisht, armenisht, ukrainisht? Ose, brendet Renault, Peugeot, Vauxhall… Si do t’i lexojë ato? Po pse këtë privilegj vetëm për emrat anglo-saksonë dhe me bazë alfabeti latin, çka të bëjmë me kinezët, koreanët, arabët, hebrenjtë, por edhe alfabete të popujve të shumtë që kanë për bazë alfabetin latin, por kanë shumë shkronja që nuk mund t’i kesh në testaturën e kompjuterit me bazë të alfabetit shqip, ku t’i gjejmë gjithë ato shkronja që s’i ka alfabeti shqip?! Kjo pyetje vetëm sa e bën më të pakuptimtë këtë tendencë deformimi, të cilit mund t’i themi se po merr përmasa karrikaturale!
Kur po shënojmë 50-vjetorin e drejtshkrimit apo gjuhës standarde, del në pah se kemi një mal me probleme të vjetra ose të shfaqura ndërkohë, për çka duhet të reflektojnë institucionet gjuhësore, por dhe ato shtetërore, në drejtim të mbrojtjes së gjuhës shqipe në media dhe përdorimin në institucionet publike. Duket fakt paradoksal që në Maqedoni ka ligj dhe institucione që merren me zbatimin e gjuhës shqipe, ndërkaq në dy shtetet shqiptare në Ballkan ende nuk ka formë institucionale të mbrojtjes së gjuhës nga përdorimi krye në vete të çdo shkruesi, e as përpjekje serioze për një lloj harmonizimi terminologjik për nevojat e administratës.
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)