Adem XHELADINI
Kërçovë, 21 mars – Dita e Pranverës është shënuar me aktivitete të shumta edhe në Kërçovë. Përpos NP “Komunaleci”, e cila për çdo ditë është vënë në përkujdesje për mirëmbajtjen e pastërtisë së qytetit, në pastrimin e qytetit kanë dalë edhe grupe qytetarësh si dhe nxënës të shkollave, të cilët kanë rregulluar oborret e shkollave dhe ambientet e mësonjëtoreve, me çka i kanë dhënë një pamje ndryshe vetë hapësirave ku ata ndodhen përditë, shkruan gazeta KOHA. Këso aktivitetesh ka pasur në të gjitha shkollat fillore dhe ato të mesme, ndërkohë që mbjellja e fidanëve dhe rregullimi i lulishteve më mbresëlënës rezulton të jetë në shkollën fillore “Rexhë R. Zajazi” të Zajazit, ku nxënësit dhe mësimdhënësit kanë rregulluar lulishten përpara shkollës së tyre. Jo prapa tyre janë edhe gjimnazistët shqiptarë nga gjimnazi “Drita” në Kërçovë, të cilët kishin përzgjedhur një mënyrë tjetër për të rregulluar ambientet ku ata qëndrojnë përditë. Kësisoj, përpos rregullimit të mësonjëtoreve dhe lulishtes së shkollës, një grup nxënësish aktivistë të “PVH” pranë Kryqit të Kuq të Kërçovës, përmes mjeteve të mbledhura nga një shfaqje teatrale, kishin blerë ngjyra dhe po ngjyrosnin rrethojat e shkollës dhe shënonin vendparkimet, ashtu që kësisoj të krijojnë parakushte për pamje dhe rregull më të mirë të shkollës së tyre. Përndryshe, gjatë një aksioni të realizuar për”Ditën e drurit” në dhjetor të vitit që shkoi në oborrin e kësaj shkolle u mbollën përmbi 100 fidanë të druve dekorativë, të cilët tanimë po mirëmbahen nga vetë nxënësit e kësaj shkolle. Siç bëjnë të ditur nga NP “Komunaleci”, nëpër të gjitha shkollat fillore dhe ato të mesme të qytetit të Kërçovës, tanimë janë shpërndarë edhe kosha të plehrave, me të cilët dëshirohet që drejtpërsëdrejti të ndikohet në ngritjen e vetëdijes dhe kulturës së përgjithshme të banorëve të qytetit, për të ruajtur dhe mbajtur pastër hapësirat publike, sepse ato janë pjesë e përditshmërisë sonë dhe pastërtia dhe cilësia e tyre lidhet edhe me shëndetin e vetë qytetarëve. Duhet thënë se kur jemi tek ambienti jetësor, Kërçova, gjatë ditëve të dimrit është radhitur në top-listën e qyteteve të ndotura të Maqedonisë, krahas Shkupit, Manastirit e Tetovës, ku cilësia e ajrit ka rezultuar e dobët ku prania e grimcave të pluhurit të dëmshëm ka qenë shumë herë mbi mesataren e lejuar. Sipas drejtorit Nebi Bilalli nga gjimnazi i Kërçovës, “kujdesi ndaj ambientit ku jetojmë dhe që na rrethon duhet të jetë i vazhdueshëm, sepse ambienti përpos që është refleksion i kulturës sonë, ruajtja e cilësisë së tij ka të bëjë drejtpërdrejt edhe me shëndetin e përgjithshëm. Mjerisht kohëve të fundit hasim në prerje masive të maleve, ku zëvendësimi i druve të prerë nuk bëhet, apo bëhet në sasi të vogla, do të sjellë pasoja të paparashikueshme në të ardhmen” ka thënë me rastin e “Ditës së Pranverës” Nebi Bilalli, drejtor pranë gjimnazit “Drita” të Kërçovës. (koha.mk)