Vetë fakti se të gjitha partitë shqiptare kanë formuar shtabe qendrore dhe shtabe lokale flet për një përqëndrim të forcave partiake për të rritur ndikimin në elektoratin shqiptare, para zgjedhjeve presidenciale apo dhe zgjedhjeve të mundshme parlamentare në prill të vitit të ardhshëm kjo për shkak të rrethanave të reja politike që do të sjell referendumi për emrin
Fatos RUSHITI
Shkup, 11 shtator – Fushata për referendumin të hënë ka nisur zyrtarisht nga Parlamenti si bartës kryesor i këtij procesi. Por pjesën më atraktive të fushatës për referendumin pritet ta bëjnë partitë politike sidomos tek blloku politik shqiptar. Kjo për faktin se si BDI dhe dy subjektet tjera në pushtet, PDSH dhe grupi i Afrim Gashit të Lëvizjes BESA ashtu dhe dy partitë opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA do të dalin në terren për të kërkuar votën e elektoratit shqiptar pro Marrëveshjes për emrin me Greqinë në referendumin 3- shtatorit. Vetë fakti se partitë shqiptare kane formuar të gjitha shtabe qendrore dhe shtabe lokale flet për një përqëndrim të forcave partiake për të rritur ndikimin në elektoratin shqiptare, para zgjedhjeve presidenciale apo dhe zgjedhjeve të mundshme parlamentare në prill të vitit të ardhshëm kjo për shkak të rrethanave të reja politike që do të sjell referendumi për emrin.
ASH me kritika ndaj partive në pushtet
ASH e Ziadin Selës hapjen e fushatës për referendumin ka nisur me kritika ndaj partive në pushtet. Kryetari Ziadin Sela tha se përveç integrimit në NATO dhe BE, Qeveri si alternativë të krimit dhe korrupsionit ka Aleancën dhe mrekullia e ASH -së është rruga drejt barazisë së plotë “Jepeni votën atje ku kemi bërë pjesë gjithmonë, bëhuni pjesë e NATO dhe BE. Aleanca është me Aleancën dhe mrekullia e ASH është rruga drejt barazisë së plotë”, ishte porosia e kreut të Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela. Sipas tij, më 30 shtator shqiptarët do të kenë mundësi të bëjnë ndarjen nga influencat jo të shëndosha që vazhdimisht i janë imponuar në periudha të ndryshme historike. “Shqiptarët janë pjesë e Evropës dhe perëndimit qysh në kohërat më të lashta dhe çdoherë kanë qenë pro këtij përcaktimi. Shqiptarët e shohin si moment plus për të arritur barabarësinë e kërkuar shumë vite. Ne do të japim mesazhe dhe do të bashkëbisedojmë me të gjithë qytetarët. Ne nuk do të bëjmë mitingje por do të zhvillojmë debate për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe halleve të shqiptarëve”, theksoi Sela. Sipas tij, qëndrimet e ASH-së janë të njohura, por do të sqarojnë se pse duhet që bashkë me ndryshimet e marrëveshjes së Prespës të bëhen edhe ndryshimet që kanë të bëjnë me barabarësinë dhe të drejtat e shqiptarët që i meritojnë, të arrihet barabarësia dhe jo koncepteve të shtetit një etnik. “Ne do ti bëjmë me dije qeverisë se ka alternativë ndaj krimit dhe korrupsionit dhe kjo është ndershmëria, rruga drejt BE dhe NATO. Duhet ta kuptojnë ata se NATO nuk është vetëm anëtarësim i vendit në një strukturë ushtarake, por është drejtësi dhe respektim i të drejtave elementare të njeriut, të largosh politikanë të korruptuar, duke shkelur të drejtat e popullit”, theksoi Sela.
Shefja e shtabit qendror për fushatën, Bujare Abazi theksoi se ASH ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura, duke hapur 27 shtabe komunale dhe lokale. “Përmes debateve do ti shpjegojmë qytetarëve për benefitet që do të kemi për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. ASH do të ketë fushatë pozitive me thirrjen për të mbështetur referendumin duke e pasur si shpresë integrimin e vendit në NATO dhe BE”, theksoi Bujare Abazi.
Veçmas fushatën për referendumin e hapi të hënën edhe Lëvizja BESA. Shefi i shtabit zgjedhor të kësaj partie Arjanit Hoxha tha se në referendum me votën “për” për radhitemi në grupin e gjithë atyre që janë pro NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE) si alternative e vetme për Maqedoninë dhe të ardhme të sigurt të vendit.“Ne me votën “për radhitemi në grupin e gjithë atyre që janë pro NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE) si alternative e vetme për Maqedoninë dhe të ardhme të sigurt të vendit. Pasi që edhe referendumi edhe ndryshimet kushtetuese janë pjesë e po këtij procesi, por në dy faza të ndryshme, ne në fazën e parë do të motivojmë popullatën shqiptare që masovikisht të dalë me 30 shtator dhe të votojë për, ndërsa në fazën e dytë të ndryshimeve kushtetuese do të angazhohemi që komfor përcaktimeve programore të kërkojmë saktësimin e termit kushtetues prej 20 për qind të zëvendësohet me shqiptarë dhe gjuhë shqipe”, tha Arijanit Hoxha.
Moto e Lëvizjes BESA është: Po për NATO dhe BE, si shqiptar jo si përqindje”.
BDI më aktive në fushatë
Nga partitë në pushtet BDI shihet më tepër aktive në fillimin e fushatës për referendumin. Të premten ka mbajtur mbledhje shtabi qendror së bashku me kryetarët e 35 shtabeve lokale në të gjithë Maqedoninë. Shefi i shtabit qendror Atilla Rexhepi, siç informuan nga BDI, ka përcaktuar formimin e shtabeve për referendumin në të gjitha degët e BDI-së dhe u ka ndarë vendime shefave të zgjedhur të shtabeve komunale duke ju uruar atyre punë të suksesshme. Në takim u miratua edhe agjenda nga takimi i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti me qytetarët, strategjia e veprimit në terren prej strukturave ndërsa është ndarë edhe platforma politike për referendumin e miratuar në seancën e Këshillit Qendror të BDI-së. Shtabi qendror i Bashkimit Demokratik për Integrim ka vlerësuar se më 30 shtator sillet vendimi për integrimin e vendit në NATO dhe BE, ndërsa takimet me qytetarët partia do t’i fillojnë nesër në Tetovë, dhe do t’i përfundojë në Shkup. PDSH ka njoftuar se do të fillojë fushatën për referendumin të hënën në pra 19:30 në Komunën e Çairit, në teatrin e fëmijëve në Çarshinë e vjetër në Shkup me moton: “Një hap para PËR NATO dhe BE”, Të premten, siç citojnë nga partia, në mbledhjen e zgjeruar të Kryesisë Qendrore me kryetarët e degëve, u zgjodh shtabi zgjedhor , ndërsa gjatë fundjavës u mbajtën edhe mbledhjet në të gjitha degët dhe nëndegët e PDSH-së ku u formuan shtabet e degëve dhe u zgjodhën kryetarët dhe anëtarët e tyre. Shtabe janë formuar në Likovë, Kumanovë, Haraçinë, Hasanbeg, Butel, Çair, Shuto-Orizare, Veles, Çashkë, Karshiakë, Sopishtë, Saraj, Zhelinë, Tearcë, Tetovë, Bërvenicë, Bogovinë, Negotinë-Vrapçisht, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë,Ohër,Resnjë, Dollnen, Krushevë dhe Manastir.
Shoqëria civile : “Ec përpara! Zgjedhja është e jotja”
Krahas partive politike edhe organizatat joqeveritare në mënyrë të organizuar do të zhvillojnë fushatë për referendumin e 30 shtatorit. Nën sloganin “Ec përpara! Zgjedhja është e jotja”, organizatat qytetare bartëse të iniciativës, nëpërmjet të një sërë aktiviteteve publike dhe mediatike, do të tentojnë që qytetarëve t’ua afrojnë Bashkimin Evropian dhe politikat e saja, por edhe t’u përgjigjen pyetjeve lidhur me atë se çfarë duhet të bëjë Maqedonia në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s dhe çfarë do të fitojë me integrimin euro-atlantik.“Vlerësojmë se në këtë moment duhet që të aktivizohem i të gjithë me qëllim që qytetarët të jenë të informuar. OJQ-të do t’i informojnë qytetarët për të gjitha fushatë nga këndvështrimi i anëtarësimi i Maqedonisë në BE dhe NATO, si në arsim, bujqësi, shëndetësi, sundim të ligjit, ekonomi etj”, tha drejtoresha e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Fani Karanfillova Panovska.
Bartës të iniciativës qytetare janë: Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në RM, Eurothink – Qendra për Strategji Evropiane, OJQ Infoqendër, Forumi Rinor Arsimor (FRA ose MOF), Civil – Qendra për Liri, ESE – Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave, Koalicioni Rural, Asociacioni për Edukim dhe Hulumtim Shëndetësor – HERA dhe Qendra për Arte Moderne. Nga partitë që janë kundër referendumit , VMRO DPMNE, sic mësohet se të martën pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv do të bëjë publik qëndrimin ndaj referendumit. Megjithatë nuk pritet për një bojkot të kësaj partie, pas qëndrimeve të forta të Kancelares gjermane Angela Merkel, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg se me JO Maqedonia nuk alternative tjetër për në BE.