“Ekzistojnë lëndë për të cilat pohojmë se janë vjetërsuar në mënyrë absolute, andaj kërkojmë që mundësia e faljes të vlejë edhe për firmat private dhe bankat. Bile ka më shumë raste kur qytetarët në fakt po enden në labirinte, dhe nga atje vështirë do të dalin pa ndonjë ndihmë konkrete nga pushteti. Mbetet të shohim se sa kompanitë private do të respektojnë rekomandimet që dalin nga ky ligj”, thotë Marjan Ristevski nga organizata “Stop Përmbaruesve”
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 1 shkurt – Për më pak se dy javë apo më 12 shkurt saktësisht, pritet të shpërndahet Parlamenti, andaj edhe kjo përbërje parlamentare nuk do të jetë në gjendje të miratojë ligje të reja. Organizatat joqeveritare presin që deri në këtë afat edhe të miratohet Ligji për fshirjen e kamatave të borxheve të qytetarëve dhe riprogramimin e borxheve të vjetra. OJQ-të presin që pozita dhe opozita të tejkalojnë problemet e ndërsjella dhe të miratojnë ligjin. Edhe pse me pak gjasa, nga “Stop Përmbaruesve” megjithatë shpresojnë se ligji do të miratohet para shpërndarjes së Parlamentit. Nga atje shtojnë se po angazhohen që me ligj të përfshihen të gjithë kompanitë përkundër pronësisë së tyre private apo shtetërore. Me ligj parashikohet që tu falen kamatat e borxheve të qytetarëve ndaj kompanive në pronësi shtetërore dhe publike deri më 31 dhjetor të vitit 2017, shkruan gazeta KOHA.
“Ekzistojnë lëndë për të cilat pohojmë se janë vjetërsuar në mënyrë absolute, andaj kërkojmë që mundësia e faljes të vlejë edhe për firmat private dhe bankat. Bile ka më shumë raste kur qytetarët në fakt po enden në labirinte, dhe nga atje vështirë do të dalin pa ndonjë ndihmë konkrete nga pushteti. Mbetet të shohim se sa kompanitë private do të respektojnë rekomandimet që dalin nga ky ligj”, thotë Marjan Ristevski nga organizata “Stop Përmbaruesve”. Sipas tij, nevojitet të ndryshohet edhe Ligji për obligacionet, të ketë mundësi të anulohen borxhet e vjetra të rrymës, si dhe të mos ketë afat të pagesës së borxheve më të gjatë se dy vite.
Në ndërkohë, nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë thonë se VMRO-DPMNE me parashtrimin e 3200 amendamenteve, ka bllokuar të gjitha projektet dhe zgjidhjet ligjore që janë në interes të qytetarëve, dhe se deputetët e saj janë kundër anulimin të kamatave dhe borxheve të qytetarëve. Nga VMRO-DPMNE ndërkohë arsyetohen se miratimi i ligjit për anulimin e kamatave të borxheve të ndërmarrjeve publike është legalizim i punës së harxhimit joligjor të të hollave publike. Ata këtë e mbështesin me rritjen e borxheve të ndërmarrjeve publike për 12 milionë euro në dy vitet e kaluara.
Në ndërkohë, nga Instituti për hulumtime dhe analiza të politikave “Romalitiko” thonë se ligji për fshirjen e kamatave dhe programimin e borxheve, është jo i definuar dhe hyn në kolizion apo kundërshtim me ligjin për përmbarim, për shkak se përmban edhe më shumë paqartësi që do të sjellin konfuzion tek qytetarët. Njëherësh, ai paraqet edhe zgjidhje të pamjaftueshme për zgjidhjen e labirintit juridik për qytetarët më të prekur që ballafaqohen me problemet e borxheve.
“Qytetarët nuk janë fajtor për vakumin juridik të krijuar me transferin e lëndëve nga gjykatat tek noterët dhe përmbaruesit. Andaj nevojitet që të miratohet një ligj për fshirjen e borxheve për qytetarët, pranuesit e ndihmës sociale dhe për ata qytetarë, rroga e të cilëve nuk e tejkalon pagën mesatare”, thonë nga “Romalitiko”. Nga atje shtojnë se është koha e fundit që të kontrollohet se sa janë valide kontratat që qytetarët dhe pranuesit e ndihmës sociale i nënshkruajnë për pagesën e borxheve të vjetra. Nevojitet gjithashtu që institucionet të hulumtojnë nënshkrimet e kontratave të tilla dhe të mos lejojnë që qytetarët të ngarkohen me harxhime joligjore dhe jo morale që ndikojnë direkt në cilësinë e jetesës së tyre. Ndryshe, njohësit e kësaj problematike shpjegojnë se bëhet fjalë për një problem me të cilin qytetarët ballafaqohen që nga viti 2011, kur lëndët ekzekutive nga gjyqet janë transferuar në noter dhe përmbarues, ndërsa qytetarët u rënduan me kamata të mëdha për lëndët, për të cilat shpesh as nuk e kanë ditur se ekzistojnë, dhe as që ka propozime për pagesë të dhunshme. (koha.mk)