“Sektori publik respekton Ligjin e punës, nuk shkel të drejtat e punëtorëve, po ashtu pagat janë më të larta, orari i punës është i rregullt 8 orë dhe jo 12 e 13 orë sa punohet në sektorin privat. Të gjitha këto më bëjnë të preferoj punësimin në sektorin publik”, thotë Agim Selimi nga Shkupi
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 17 shtator – Sektori privat, edhe pse sipas statistikave është punëdhënësi i madh në Maqedoni, mbetet nën hijen e sektorit publik, i cili vazhdon të jetë më i pëlqyer për punëkërkuesit. Pagat më të larta, trajtimi i punëtorëve si dhe kontratat më të favorshme, janë disa nga arsyet që ceken nga punëkërkues dhe përfaqësues të bizneseve, si elemente që bëjnë sektorin publik më të pëlqyer për tu punësuar. Nga Oda Ekonomike në Maqedoni thonë se arsyeja pse sektori publik është më atraktiv për fuqinë punëtore është siguria ekonomike dhe ndjenja që njerëzit krijojnë se kanë një vend pune më të qëndrueshëm dhe më të sigurt, shkruan gazeta KOHA.
Sipas tyre, në sektorin publik mbrojtja e të punësuarve është më e madhe dhe rrjedhimisht njerëzit orientohen të punojnë aty. “Pagat në sektorin publik janë rritur përgjatë viteve në mënyrë signifikante, ashtu që pastaj të gjithë, qofshin ata të punësuar ekzistues në sektorin publik ose të punësuarit e mundshëm, pra të sapo të diplomuarit e kanë parë vetëm sektorin publik si mundësi për të zhvilluar karrierën e tyre. Kjo është kundërshtim ndoshta me të gjitha praktikat e tjera ndërkombëtare ku zakonisht sektori privat është ai që ofron kushte më të mira dhe mundësi më të mëdha për zhvillim të karrierës dhe avancim të të punësuarve”, thonë në OEM.
Agim Selimi, i cili është në kërkim të një vendi pune, thotë se preferon sektorin publik për punësim dhe jo atë privat. Sipas tij, janë shumë arsye që puna në sektorin publik është më atraktive. “Sektori publik respekton Ligjin e punës, nuk shkel të drejtat e punëtorëve, po ashtu pagat janë më të larta, orari i punës është i rregullt 8 orë dhe jo 12 e 13 orë sa punohet në sektorin privat. Të gjitha këto më bëjnë të preferoj punësimin në sektorin publik”, thotë ai. Ngjashëm shprehet edhe një qytetar tjetër.
“Sektori privat nuk i mbron aq sa duhet punëtorët, kushtet e punës nuk janë të mira, nuk ka siguri financiare, nuk ka kontrata pune dhe të largojnë nga puna kurdo që ata duan”, thotë Blerimi nga Shkupi. Nga hulumtimet e bëra nga përfaqësues të cilët mbrojnë të drejtat e punëtorëve ishte theksuar se sektori privat është shkelësi më i madh i të drejtave të punëtorëve.
Dallimet sa u përket kushteve të punës ne mes sektorit privat dhe atij publik janë të mëdha duke filluar nga pagat. Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikës, paga mesatare në sektorin privat në Kosovë është 350 euro, ndërsa në sektorin publik paga mesatare është më shumë se 410 euro. Ekspertët ekonomikë thonë se sektori publik e ka shfrytëzuar mundësinë e ngritjes së pagave edhe për sigurimin e pushtetit, gjë që siç thonë ata, ka ndikuar në vendimet e shpeshta për ngritje të pagave. “Me para të sektorit privat që kontribuojnë në mbushjen e arkës së shtetit, sektorit publik u është mundësuar rritja e pagave. Duke rritur pagat në sektorin publik, janë shkaktuar dëme për sektorin privat i cili edhe ashtu ka vështirësi për gjetjen adekuate të fuqisë punëtore. Pavarësisht rekomandimeve të mekanizmave ndërkombëtar dhe odave ekonomike se kjo mund të ndikojë në thellim të deficitit buxhetor, janë rritur pagat në sektorin publik”, thonë ekspertët. Papunësia në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare, është pak më shumë se 17 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 55.4 për qind. Nga kjo shifër mbi 19 për qind e të papunëve janë persona që kanë përfunduar arsimin terciar. (koha.mk)