Laura PAPRANIKU
Shkup, 29 qershor – Sikurse ishte caktuar paraprakisht, në të gjitha shkollat e mesme të mërkurën janë hapur dyert për regjistrimin e nxënësve të rinj në vitin shkollor 2017/2018, i cili vazhdoi edhe sot. Jehona më e madhe është shënuar nëpër gjimnaze dhe shkollat e mesme të mjekësisë dhe ekonomisë, shkruan gazeta KOHA. Në Gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, për vetëm një orë e gjysmë, nga moment i pranimit të dokumenteve, ishin paraqitur rreth 200 kandidatë. Kjo, sikurse tregon drejtori Faruk Zeqiri, është për 50 deri 60 për qind më shumë krahasuar me numrin e njëjtë të nxënësve që kishin konkurruar të regjistrohen në këtë gjimnaz një vit më parë.
“Jehona e regjistrimit në ZLM këtë vit është dukshëm më e madhe. Deri në ora 9 e gjysmë të mëngjesit ishin dorëzuar rreth 200 dokumente”, pohon Zeqiri, ndërsa vëren se në bazë të informacioneve paraprake, një pjesë e konsiderueshme e nxënësve që kanë konkurruar janë me nota të larta. “Nëse vazhdohet me këtë ritëm, do të kemi mundësi që t’i formojmë të gjitha paralelet e parapara me Konkurs me nxënës të cilat kanë sukses të mirë të notave në arsimin paraprak”, shprehet për KOHA drejtori i ZLM-së. Por, surpriza e këtij viti janë nxënësit e rajonit të Dërvenit, një pjesë e të cilëve kanë zgjedhur ZLM-në, edhe pse kanë shkollën e mesme me drejtime gjimnaz në Komunën e Sarajit.
“Besoj se do të kemi nxënës edhe nga rajoni i Dërvenit. Në bazë të informacioneve që disponoj, nga ajo anë i kanë dorëzuar dokumentet 20 kandidatë”, pohon drejtori Zeqiri. Njëra prej tyre është edhe nxënësja Dafina Rexhallari. Ajo thotë se ka kryer arsimin nëntëvjeçar në Shkollën fillore “Bajram Shabani” në Kondovë, mirëpo ka zgjedhur të regjistrohet në ZLM, pasi kjo ka qenë një dëshirë e moçme e saj. Por, tradicionalisht, përveç nxënësve të shkëlqyeshëm të shkollave fillore të qytetit të Shkupit, këtu regjistrohen edhe nxënësit e rajonit të Karshiakës dhe shkollave të Hasanbegut e Haraçinës, të cilët nuk kanë gjimnaze në gjuhën shqipe në afërsi në vendbanimeve të tyre. Besian Mamuti, që sapo ka përfunduar arsimin fillor në Shkollën fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Haraçinë, ishte në radhët e para të pritjeve për dorëzimin e dokumenteve. Do t’i duhet të vijë me dy linja autobusi deri në shkollë nëse pranohet, por pavarësisht këtyre vështirësive, vendosi të ndjek dëshirën për të qenë nxënës i ZLM-së. Një rast i njëjtë është edhe ai i Hamza Musliut, ish-nxënës në Shkollën fillore “22 Nëntori” në lagjen Hasanbeg, që me një grup nxënësish nga po ajo shkollë, të mërkurën kishin ardhur t’i dorëzojnë dokumentet për regjistrim. Për vitin shkollor 2017/2018 në ZLM janë caktuar të formohen 16 paralele me maksimumi 544 nxënës. Në nivel shteti janë planifikuar 1060 paralele me rreth 36 mijë vende, prej të cilave 290 paralele dhe 9860 vende në gjuhën shqipe. Vetëm në Shkup, numri i paraleleve në gjuhën shqipe është 97 nga 3190 paralele gjithsej.
Në shkollën e mesme “Saraj”, jehona e regjistrimit ka qenë gjithashtu e lartë. Drejtori Bedri Gjureci, shprehet jashtëzakonisht i kënaqur me interesimin e nxënësve. Madje, ai pret që Konkursi për pranimin e nxënësve të përmbyllet që në paraqitjen e parë. “Janë plotësuar thuajse të gjitha vendet e parapara me Konkurs, dhe ajo që është me e rëndësishme thuajse të gjithë ata që kanë dorëzuar dokumentet janë nxënës me nota të mira, pra plotësojnë kriterin e 60 pikëve të nevojshme. Por, jemi të detyruar të bëjmë pranimin e dokumenteve edhe të enjten, në ditën e dytë të paraqitjes së parë për këtë afat regjistrimi, që pastaj të mund të mbyllim Konkursin”, sqaron ai.
Për jehonën jashtëzakonisht të lartë flasin dhe në Shkollën e mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov”, ku për 206 vende, deri në mesditë ishin paraqitur 267 kandidatë. Në “Arseni Jovkov”, përgjegjësi Nazmi Rahmani, informoi se kishin konkurruar mbi 200 nxënës, ndërsa për jehonë më të madhe krahasuar me vitin e kaluar, për KOHA flet edhe drejtori i Shkollës së mesme “Cvetan Dimov”, Besnik Ajeti. Në paralelet e drejtimeve ekonomike, deri në mesditë ishin paraqitur rreth 100 kandidatë, ndërsa për paralelet e mjekësisë rreth 70 nxënës.
FILLOI REGJISTRIMI I NXËNËSVE NË SHKOLLAT E MESME
Për semimaturantët të mërkurën kanë hapur dyert edhe shkollat e mesme të Tetovës, nga ku theksojnë se interesimi për regjistrim në gjimnazet dhe shkollat e mesme profesionale të Tetovës është tejet i madh. Nga këto shkolla theksojnë se për nxënësit e rinj ofrojnë kushte shumë të mira për mësim në drejtimet ekzistuese, por edhe në disa drejtime dhe profile arsimore që janë risi për vitin shkollorë 2017/2018, kriteret për regjistrim në dy gjimnazet e Tetovës janë po ato që kanë qenë edhe vitin e kaluar, gjegjësisht 60 pikë është numri minimal i pikëve si kusht për regjistrim, ndërsa në shkollën e mesme profesionale të mjekësisë kushti për regjistrim është minimalisht 70 pikë. “Këtë vit, mësimin fillor në Tetovë dhe komunat rurale e kanë përfunduar 2098 semimaturantë. Prej tyre, 1784 janë me mësim në gjuhën shqipe, 303 me mësim në gjuhën maqedonase dhe 11 me mësim në gjuhën turke. Këtë vit, në bazë të konkursin janë planifikuar të hapen 100 paralele, prej tyre 77 në gjuhën shqipe, 22 në gjuhën maqedonase dhe një në gjuhën turke. Pritjet tona janë që sivjet të plotësohen 85 paralele. Kriteret do të jenë të larta për gjimnazin, mjekësinë dhe ekonominë”, tha Ahmed Qazimi, përgjegjës për arsim në Komunën e Tetovës. Ndryshe, afati i parë i regjistrimit do të vazhdojë edhe nesër, rezultatet nga regjistrimi dhe vendet e lira do të shpallen më 30 qershor. Paraqitja dhe regjistrimi i nxënësve në afatin e gushtit do të jetë më 24 gusht, ndërkaq rezultatet nga regjistrimi i nxënësve dhe vendet e lira do të kumtohen më 25 gusht. Shkollat të cilat në të dy afatet regjistruese nuk do t’i plotësojnë vendet e caktuara të nxënësve për regjistrim, do të vazhdojnë me regjistrimin e nxënësve deri më 31 gusht 2017. Për shkak të heqjes së testimit ekstern, janë bërë ndryshime në Konkursin e shpallur në të cilin janë fshirë kushtet lidhur me rezultatet nga kontrollimi ekstern i arritjes së suksesit të nxënësit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.