Të gjitha rreziqet e një Evrope gjithnjë e më shumë teutone

Nga Giorgio La MALFA

Nuk është hera e parë që lindin moskuptime midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, por ndoshta është hera e parë që protagonistët në vend që t’i minimizojnë divergjencat duke ua besuar diplomacive kërkimin e pikave të përbashkëta, i shfaqin hapur kundërshtitë dhe propozojnë që t’u nxjerrin pasojat politike. ndodhitë e G7-ës, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë italiane për të nxjerrë në dritë pikat e konvergjencës, ka mundësi që të jenë të destinuara të shënojnë në mënyrë të thellë raportet midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, në mënyrë të veçantë raportet me Gjermaninë.

Duke parë dimensionin që, me fjalët e Merkel, ka marrë përplasja, për ta kuptuar më shumë është e nevojshme të kihen informacione më të mëdha lidhur me zhvillimin e mbledhjes së Taormina dhe mbi pikën që ka shkaktuar polemikën. Gazetat e vendosin theksin në orientimin e Donald Trump për të refuzuar marrëveshjen e Parisit lidhur me klimën, por që ky është pozicioni amerikan nuk mund t’i ketë befasuar vendet e G7-ës. As nuk mendoj që objekt i kontestimit të kenë qenë raportet me Rusinë, që do të gjithë do të donin t’i përmirësonin, edhe pse sjelljet konkrete e qeverisë ruse nuk e bëjnë të lehtë këtë evolucion. Përshtypja është se pika e ndjeshme kanë qenë deklarimet e Trump lidhur me teprinë e eksporteve gjermane, sidomos të makinave, drejt Shteteve të Bashkuara. Trump duhet të ketë kërkuar një vetëkufizim nga ana e Gjermanisë, në mungesë të së cilës qeveria amerikane mund të vendosë marrjen e masave proteksioniste të tregut të brendshëm. Ka mundësi që lidhur me këtë ka ndodhur përplasja, sepse Gjermania nuk pranon asnjë kufizim të aftësisë së saj për të pushtuar tregjet e huaja. Teza gjermane është se konsumatorët i blejnë produktet gjermane sepse janë më të mirë se ato të konkurrentëve të tyre dhe se, duke qëndruar kështu gjërat, nuk është e mendueshme që Gjermania ta reduktojë kompetitivitetin e produkteve të saj vetëm për të plotësuar aftësinë e pamjaftueshme konkurrenciale e të tjerëve. Për këto tema diskutohet, jo vetëm midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe në Evropë pasi ka një suficit tregtar të madh gjerman të cilit Gjermania refuzon që ta rregullojë në mënyrë më të thjeshtë e të drejtpërdrejtë që është ai i rritjes së kërkesës së brendshme, duke kontribuar kështu në riekuilibrimin e llogarive me jashtë të vetat dhe të vendeve të tjerat të Bashkimit Evropian. Besoj se kjo ka qenë tema bazë e përplasjes në G7 midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Përtej polemikave immediate, ajo duhet të zgjidhet me shumë bonsens sa nga njëra anë, aq edhe nga tjetra. Sepse është e vërtetë që një vend nuk mund t’i bëjë vullnetarisht më pak konkurruese mallrat e veta, ai mund ta stimulojë kërkesën e brendshme dhe në këtë mënyrë të ndihmojë vendet e tjera që të eksportojnë më shumë.

Por lidhur me këtë pika Gjermania reagon gjithmonë në mënyrë jashtëzakonisht negative, si në gjirin e Bashkimit Evropian, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Por, nëse është kështu, atëherë çfarë kuptimi do të kishte një integrim më i madh evropian që do të riprodhonte saktësisht këtë filozofi që i lejon Gjermanisë avantazhet e rritjes dhe të tjerëve barrën e rreptësisë financiare? Nga ana tjetër, përkrah propozimit të një bashkëpunimi më të madh lidhur me temën e emigracionit apo të një përshpejtimi të integrimit në fushën ushtarake, në propozimet e djeshme të Merkel është tashmë kërkesa, tashmë e bërë në mënyrë të përsëritur, për të zgjedhur një President gjerman në Bankën Qendrore Evropiane, duke përmbysur kështu krejtësisht politikat që ajo ka ndjekur gjatë këtyre viteve. Kjo ka pasur një konfirmim të qartë në fjalët e Mario Draghi përpara Parlamentit Evropian, me të cilat nëse nga njëra anë ai ka vërtetuar një rigjallërim të caktuar ekonomik të eurozonës, nga ana tjetër ka konfirmuar nevojën e vazhdimit me politikat monetare që ndihmojnë të mbahen të ulëta përqindjet e interesit. Nëse kandidati i Kancelares Merkel do të zgjidhej në krye të BQE-së, atëherë filozofia e Draghi do të përmbysej totalisht. Këto janë arsyet për të cilat propozimi gjerman për një integrim më të madh evropian duhet studiuar hollësisht me shpirt mjaft kritik, përpara se të lëshohemi në një entuziazëm sipërfaqësor. Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian bart me vete një disekuilibër politik në gjirin e Bashkimit Evropian: e rrit jashtë mase peshën e Gjermanisë, e cila nuk mund të frenohet nga një Francë e dobësuar. Rreziku i një theksimi të integrimit evropian në këto kushte është që të plazmojë vetëm sipas Gjermanisë institucionet evropiane, duke i dhënë këtij vendi një pozicion tepër mbizotërues, si në fushën ekonomike, ashtu edhe në atë politike e sociale. Më shumë se 60 vite më parë, në një diskutim të famshëm drejtuar rinisë gjermane, Thomas mann tha se Gjermania duhej t’i siguronte popujt e Evropës rreth synimeve bazë të saj. Donin ata, shtroi pyetjen Thomas Mann, një Gjermani evropiane apo donin një Evropë gjermane? Akoma dje prapa fjalëve të Kancelares Merkel ravijëzohej ku profil: atë të një Gjermanie evropiane apo atë të një Evrope gjermane? Prania e Britanisë së Madhe në gjirin e Bashkimit Evropian dhe kufizimet e thella të miqësisë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara kanë garantuar për një kohë të gjatë që të shkohej drejt një Evrope të mbështetur mbi një ekuilibër midis vendeve anëtare. Kancelarja Merkel ka thënë se Evropa duhet ta marrë në duart e saj fatin e saj. Por ama ky fat duhet të jetë ai i të gjitha vendeve evropiane. Nuk mund të përkojë me atë të Gjermanisë.