Duke iu referuar kërkesave të shumta për ndryshime në propozim-ligjin aktual të arsimit të lartë, zëvendësministri i Arsimit thotë se MASH është e hapur për ndryshime. “Po shoh se mund të dakordohemi që disa prej atyre zgjidhjeve ligjore të ofruara me propozim-ligjin aktual, duhet të korrigjohen, ndërsa disa duhet të modifikohen e disa duhet edhe të eliminohen tërësish”, shprehet Ademi
Laura PAPRANIKU
Shkup, 10 prill – Teksti i propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës si variant i mundshëm për nxjerrjen e Ligjit të ri të arsimit të lartë në Maqedoni ka gjasa të pësojë ndryshime të tjera, shkruan gazeta KOHA. Zyrtarë të lartë të MASH-it nuk përjashtojnë aspak këtë mundësi. Madje, sikurse deklaron zëvendësministri Arbër Ademi, nëse konsiderohet e nevojshme, MASH është e gatshme të pranojë ndryshime, dhe nëse duhet – edhe largimin e ndonjë neni nga varianti i tanishëm i propozim-ligjit në fjalë, për të cilin tha së është përgatitur në bashkëpunim të plotë me komunitetin akademik, pasi inkluziviteti ka qenë një prej parimeve bazë të ndërmarrjes për ndryshimin e legjislatives arsimore të nivelit të lartë.
“Kemi besuar dhe vazhdojmë të besojmë se vetëm në partneritet të pashkëputur me komunitetin akademik, mund ti bëjmë dhe mund ti realizojmë ndryshimet e duhura. Komuniteti akademik e di më së miri se cilat janë sfidat me të cilat ballafaqohemi sot dhe cilat janë sfidat e së ardhmes, duke pasur parasysh zgjidhjet aktuale ligjore”, shprehet për KOHA, Ademi. Duke iu referuar kërkesave të shumta për ndryshime në propozim-ligjin aktual të arsimit të lartë, ai thotë se MASH si propozues i këtij propozim-ligji është i hapur për ndryshime.
“Po shoh se mund të dakordohemi që disa prej atyre zgjidhjeve duhet të korrigjohen, disa duhet të modifikohen e disa duhet edhe të eliminohen tërësisht”, shprehet zëvendësministri Ademi. Dhe, rastet që paraqesin sfidë për ministrinë nuk janë të pakta. Jo më larg se para katër ditëve, në debatin e hapur që u zhvillua në Parlament, u kërkua që Ligji i ri për arsim të lartë të ofrojë zgjidhje për çështjen e magjistraturave dhe doktoraturave në kuadër të programeve studimore në gjuhën shqipe në Universitetin “Kirili dhe Metodi” në Shkup. Konkretisht, në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, në Fakultetin “Blazhe Koneski” dhe në Fakultetin Pedagogjik “Klimenti i Ohrit” në UKM, studentët shqiptarë duhet ti mbrojnë në maqedonisht punimet e magjistraturës dhe doktoraturës edhe pse edhe kanë studiuar në gjuhën shqipe, edhe pse mentorët dhe anëtarët e komisioneve për mbrojtjen e titujve janë shqiptarë. Ish-ministri i Arsimit dhe Shkencës, aktualisht rektori i Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, Aziz Pollozhani, kërkoi që të rregullohet me Ligji kjo çështje.
“Sepse, nëse përdorimi i drejtë i gjuhës shqipe do të mbetet edhe më tej në mëshirën e universiteteve, në këtë rast të UKM-së, nuk do të rregullohet asnjëherë”, konsideron Pollozhani, i cili ka mbajtur postin e ministrit në periudhën e viteve 2002-2006. Meqë përdorimi i shqipes në institucionet e larta arsimore nuk ishte rregulluar sikurse duhet as me Ligjin e asaj kohe, ish-ministri Pollozhani iu drejtuar me një shkresë Rektoratit të UKM-së. Në raste të caktuara, ishte mundësuar që magjistraturat të Katedrën e gjuhës shqipe të mbrohen në gjuhën shqipe, mirëpo me ndryshimin e raporteve politike, u ndryshuan edhe situatat duke u thirrur në Statutin e UKM-së, i cili cakton që temat e magjistraturës dhe doktoraturës të përkthehen dhe të mbrohen në gjuhën maqedonase.
Të njëjtat kondita vlejnë edhe për përdorimin e shqipes në diplomat e Katedrës të gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe për programet shqipe të Fakultetit Pedagogjik në UKM. Edhe pse propozim-ligji aktual lejon ndarjen e diplomave në dy gjuhë (maqedonisht dhe shqip), kjo pamundësohet nga Statuti i UKM-së, prandaj sfidë konkrete e MASH-it është të kërkojë me Ligj rregullimin e kësaj çështje për të gjitha universitetet, të cilat kanë programe studimore në gjuhën shqipe, apo në gjuhën të cilën e flasin më tepër se 20 për qind e popullatës. MASH ka gjithashtu rastin të dëshmojë se mund të ofrojë zgjidhje të drejtë ligjore edhe duke korrigjuar nenin 144 të propozim-ligjit aktual, me të cilin kërkohet që në programet ku studiohen në gjuhë jo maqedonase, përveç lëndës të gjuhës maqedonase, të zhvillohen gjithashtu në gjuhën maqedonase të paktën edhe dy lëndë të tjera profesionale.
Përtej sfidave gjuhësore, para se Ligji të miratohet në Parlament, kërkohen ndryshime edhe sa i takon ndarjes së pushteteve, modeleve të financimit, trajtimin e barabartë të të trija cikleve të studimit apo edhe kritereve për karrierë akademike.
Në gjykimin e zëvendësministrit të Arsimit, Arbër Ademi, teksti i propozuar nga MASH garanton autonominë universitare si në aspektin akademik, kadrovik, financiar dhe organizativ – ashtu sikurse ofron liri akademike, mendim të pakufizuar shkencor, mundësi të barabarta dhe parime demokratike. Por krahas këtyre elementëve të vlerësuar si mjaft pozitive edhe nga masa e gjerë, Ademi veçon si tejet të rëndësishme edhe ndërtimin e mekanizmave për forcimin e cilësisë, konkretisht themelimin e Agjencisë të Cilësisë dhe Këshillin Nacional të Arsimit të Lartë. Gjithashtu, e rëndësishme, sipas tij, është se fakultetet do të kenë mundësi të punësojnë asistentë dhe demonstratorët sipas nevojave të tyre. Qëllimi është që përmes këtyre punësimeve të pengohet “ikja e turrit” dhe që në të njëjtën kohë të krijohen rrethana lehtësuese për shtimin e hulumtimeve shkencore. (koha.mk)