Shkup, 3 tetor – Udhëheqësit e Drejtorive Doganore të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kroacisë në një konferencë për media njoftuan se janë duke shqyrtuar mundësitë për vazhdimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit doganor midis dy vendeve. Këto tre ditë, për vizitë zyrtare në Maqedoni qëndron një delegacion i Drejtorisë Doganore të Kroacisë, i kryesuar nga drejtori gjeneral i doganës kroate, Hrvoje Çoviq. Kreu i Drejtorisë Doganore të Maqedonisë, Gjoko Tanasoski, tha se Maqedonia është duke punuar për një legjislacion të ri i cili do të jetë i harmonizuar me rregullativat e Bashkimit Evropian (BE). Në kuadër të lehtësimeve doganore, ai paralajmëroi reduktim të numrit të dokumenteve në procedurat doganore. “Mbështetja e Republikës së Kroacisë është e një rëndësie të madhe për ne. Ne e shohim drejtorinë doganore kroate si partner strategjik në përpjekjet tona për eurointegrim. Në këtë proces, përvojat kroate mund të jenë në harmonizimin e legjislacionit, rritjen e kapaciteteve administrative, luftën kundër korrupsionit dhe përshpejtimin e të gjitha procedurave doganore”, deklaroi Tanasoski. Ai shtoi se një pjesë e ndryshimeve do të sjellin në thjeshtëzimin e procedurave doganore, gjë e cila, sipas tij, do t’ua lehtësojë punën kompanive të vogla dhe të mesme, duke u ndihmuar që në mënyrë më efikase të kyçen në zinxhirët global të tregtisë. Nga ana tjetër, kreu i Drejtorisë Doganore të Kroacisë, Hrvoje Çoviq, tha se janë të hapur si administratë për ta ndihmuar Maqedoninë në sfidat e saj për avancimin e normativës që pret shërbimi doganor i Maqedonisë. “Bilanci i mirë tregtar mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kroacisë na detyron ne si shërbime doganore që bashkëpunimi të jetë sa më i mirë dhe sa më cilësor në mënyrë të kënaqshme për të dyja palët”, tha Çoviq. Ndryshe, gjatë kohës së vizitës zyrtare të delegacionit kroat, do të shqyrtohen mundësitë për krijimin e një bashkëpunimi më intensiv, me theks të veçantë për shkëmbimin e përvojave në drejtim të përafrimit të punës doganore drejt unionit doganor të BE-së si dhe për lehtësimin dhe zhvillimin e ekonomisë, tregtisë dhe transportit.