Pas shqiptarëve, më optimistët në rajon janë shprehur serbët, ku 68 për qind e tyre janë shprehur se shikojnë me optimizëm të ardhmen për fëmijët. Më pas ndiqet nga Mali i Zi me 66 për qind të anketuarve të shprehur optimist dhe Maqedonia me 65 për qind. Turqia ka përqindjen më të ulët të optimizmit
Qefsere ABDYLI
Shkup, 15 maj – Mund të duket e çuditshme, por Shqipëria renditet krahas vendeve si Finlanda, Suedia apo Danimarka për optimizmin që kanë në lidhje me të ardhmen e fëmijëve apo të nipërve. 75 për qind e shqiptarëve të pyetur në Anketën e Cilësisë së Jetës të hartuar nga Komisioni Evropian pohuan se e shikojnë me optimizëm të ardhmen e fëmijëve dhe nipërve, ndërsa çereku i të pyeturve kanë dhënë një mendim ndryshe, shkruan gazeta KOHA.
Në raport me rajonin, shqiptarët e anketuar kanë qenë më optimist për të ardhmen e brezave pasardhës. Pas shqiptarëve, më optimistët në rajon janë shprehur serbët, ku 68 për qind e tyre janë shprehur se shikojnë me optimizëm të ardhmen për fëmijët. Më pas ndiqet nga Mali i Zi me 66 për qind të anketuarve të shprehur optimist dhe Maqedonia me 65 për qind. Turqia ka përqindjen më të ulët të optimizmit nga vendet kandidate për t’u anëtarësuar në BE. Gjysma e të anketuarve në Turqi e shikojnë të ardhmen e atyre që do të lenë pas me optimizëm. Sipas rezultateve të Anketës së Cilësisë së Jetës, vetëm 57 për qind e qytetarëve të Bashkimit Evropian janë treguar optimistë për të ardhmen e fëmijëve dhe nipërve.
Vendet me përqindjen më të lartë të optimistëve janë vendet e Evropës Veriore, të njohur për mirëqenien e lartë të qytetarëve atje. Vendi me përqindjen më të lartë të optimistëve është Finlanda, ku 86 për qind e të pyeturve janë dakord se ardhmja për brezat që do të vijnë do të jetë më e mirë. Po ashtu, edhe në Suedi, 83 për qind kanë pohuar të njëjtën gjë, duke u ndjekur nga Danimarka dhe Irlanda me përkatësisht 80 dhe 79 për qind të anketuarve optimistë.
Të tjera vende ku qytetarët janë shprehur optimistë për të ardhmen janë Estonia, Letonia, Malta dhe Polonia, me përkatësisht 77 për qind të të anketuarve. Shqiptarët renditet fill pas tyre. Por ka edhe nga ato vende të Bashkimit Evropian, të cilët janë më pesimistë për atë që do të vijë për fëmijët dhe nipërit. Përqindjen më të ulët e kanë grekët, ku vetëm çereku i të pyeturve kanë qenë pozitiv në qëndrim, rreth 75 për qind e të pyeturve nuk janë optimistë për të ardhmen. Ndonëse vetëm pak ditë më parë, kryeministri i Greqisë, Tsipras, lajmëroi daljen nga kriza, rivendosjen e pensionit të 13 dhe uljen e taksave, do të duhet pak kohë që grekëve t’u kthehet optimizmi i parakrizës.
Ndër vendet pesimiste rreshtohen edhe Italia, së bashku me Francën, ku sipas rezultateve të Anketës janë shprehur optimistë vetëm 41 dhe 42 për qind e të anketuarve. Më shumë se gjysma e individëve të pyetur nuk e shohin aq të ndritur të ardhmen e brezave që do të vijnë. Në Bullgari, 48 për qind e shikojnë të ardhmen me optimizëm. Vendet e tjera të Bashkimit Evropian luhaten rreth mesatares së BE-së prej 57 për qind. Komisioni Evropian kreu Anketën e Cilësisë së Jetës, i cili mundësojë një panoramë të cilësisë së jetës së evropianëve në ditët e sotme. Të dhënat dhe analizat mbulojnë cilësinë e jetës, cilësinë e shoqërisë dhe të shërbimeve publike. Për herë të parë në këtë anketë u përfshinë edhe vendet kandidate për t’u anëtarësuar në BE, duke marrë nga një kampion përfaqësues nga këto shtete. Anketa ka të dhëna cilësore të ndara sipas gjinisë, moshës, aktivitetit të të anketuarit (i punësuar ose jo) dhe të ardhurave (nga të ulëtat pjesë e kuartilit të parë deri te të ardhurat më të larta, kuartili i katërt). (koha.mk)