Me 194 vetura për 1000 banorë, Maqedonia e Veriut megjithëse me normë të lartë të varfërisë në Europë, sërish ka tejkaluar madje edhe Turqinë me vetura që qarkullojnë në rrugët e vendit. Të dhënat e EUROSTAT-it tregojnë se në vend të fundit është Shqipëria
Shkup, 27 korrik – Para Shqipërisë, por pas Kroacisë, Bullgarisë dhe Sllovenisë, Maqedonia e Veriut renditet e treta nga fundi i listës me numrin e veturave për kokë banori. Nëpër rrugët e Shkupit, sidomos në hyrje-daljet, por edhe në qendër të qytetit, trafiku shpeshherë është i padurueshëm dhe mund të duhet deri një orë në kohën e pikut për të arritur në destinacion. Por, ndryshe nga ky iluzion që mund të krijohet se të gjithë kanë një veturë, realiteti, nëse i largohemi kryeqytetit, është krejt ndryshe, shkruan gazeta KOHA.
Me 194 vetura për 1000 banorë, Maqedonia e Veriut megjithëse me normë të lartë të varfërisë në Europë, sërish ka tejkaluar madje edhe Turqinë me vetura që qarkullojnë në rrugët e vendit. Të dhënat e EUROSTAT-it tregojnë se në vend të fundit është Shqipëria. Më afër Maqedonisë është Turqia, me 149 vetura për 1000 banorë. Maqedonia është ndër vendet më të varfra të Europës, me të ardhura sa 30 përqindëshi i mesatares europiane dhe shumë nuk kanë mundësi të blejnë një veturë, ndonëse shpesh ajo është mjet i domosdoshëm, duke pasur parasysh shërbimin në shumë raste jo cilësor urban. Numri i veturave për 1000 banorë në Shqipëri ishte 147 në vitin 2017, nga 118 që ishte në 2013. Por, pavarësisht rritjes, nëse e krahasojmë me të dhënat e EUROSTAT-it për Europën dhe shtete të tjera të Ballkanit, shqiptarët zotërojnë më pak vetura se në çdo vend tjetër.
Mesatarja e Bashkimit Europian, po në vitin 2017 ishte rreth 500 vetura për 1000 banorë, pra më shumë se tre herë në raport se Maqedonia. Sipas EUROSTAT-it, në mesin e shteteve anëtare të BE-së me normat më të larta të motorizimit, pra veturat e pasagjerëve për 1000 banorë, ekzistojnë disa diferenca të vogla. Në vitin 2017, Luksemburgu kryesoi listën (670 makina të pasagjerëve për 1000 banorë), megjithatë, kjo shifër mund të ndikohet nga punëtorët ndërkufitarë që përdorin makinat e kompanisë të regjistruara në vend). Më pas vijon Italia me 625 vetura për 1000 banorë, Finlanda (617 makina), Maltë (613 makina) dhe Qipro (609 makina). Më pak vetura nga vendet e BE-së kanë rumunët (rreth 400), përcjell KOHA.
Në vitin 2017, numri më i madh i veturave të pasagjerëve të regjistruar u vërejt në Gjermani me 46 milionë veturave. Më pas vijoi Italia (37 milionë vetura) dhe Franca (32 milionë makina). Gjatë periudhës pesë vjeçare nga 2013 në 2017, pati një rritje të fortë të numrit të automjeteve të regjistruara në disa shtete anëtare. Rritja më e lartë gjatë kësaj periudhe është regjistruar në Sllovaki (18%), pasuar nga Çekia dhe Portugalia (të dyja 17%), Estonia (15%), Malta dhe Hungaria (të dyja 14%). (koha.mk)