Qefser ABDYLI
Shkup, 15 shkurt – Familja katër anëtarëshe e Muharrem Saliut nga lagjja e Sahat Kullës në Shkup tash e disa muaj jeton në kushte tejet të rënda ekonomiko-sociale, shkruan gazeta KOHA. Ata thonë se prej kohës së tërmeteve të njëpasnjëshme nga gushti i vitit të kaluar jeta e tyre ndryshoi për të keq. Tërmeti çau gjithë shtëpinë dhe ata tani çdo natë flenë me frikën se kur do rrëzohet shtëpia. “Ne jemi katër anëtarë, i kam edhe dy fëmijë, mirëpo ata nuk rrinë me ne sepse i frikësohen shembjes së shtëpisë. Shtëpia dridhet e tëra, vetëm të ecësh pak menjëherë fillon të dridhet, gjë që krijon një frikë tek ne, sepse kjo vetëm sa nuk u rrënua gjatë tërmeteve. Nuk mund të rrimë as brenda, është shumë keq, fëmijët kanë shkuar tek dajallarët e tyre, këtu jemi vetëm unë dhe bashkëshortja”, tregon Muharrem Saliu. Ai thotë se ka bërë tre herë kërkesë deri te Komuna, por që asnjë nuk ka ardhur t’i vizitojë dhe të shohë se në çfarë shtëpie jetojnë, apo çfarë hallesh kanë.
“Kemi bërë tre herë kërkesë te komuna, por asnjëherë nuk kanë ardhur. Nuk e di çfarë duhet të bëj, nuk e njohë askënd tek komuna. Sot duhet të kesh të njohur që të ta pranojnë kërkesën. Ne kemi nevojë edhe për të ngrënë, sepse unë jam i papunë. Deri para gjashtë muajsh kamë marrë ndihmë sociale, edhe atë ma ndaluan, sepse nuk u pat lajmëruar me kohë. Dhe tani pres të më rregullohet. Punoj ndonjë imtësinë në Pazar, ku marr nga 50 denarë.
Por me 50 denarë a bëhet shtëpia, ose a mund ta ushqesh barkun”, thotë Saliu. Për të ngrënë u ndihmon sado pak hoxha i xhamisë me ndihmën e shoqatës humanitare “El Hilal”. “Me ngrënë po na sjellin, ndonjëherë hoxha i xhamisë bashkë me shoqatën ‘El Hilal’. Edhe ato sa munden një paketë me sheqer, vaj, me këto lloje ushqimesh, sepse sot para nuk kanë njerëzit aq sa duhet për vete e jo më për t’i ndihmuar tjetrit. E vetmja gjë që kamë nevojë është shtëpia, sepse dridhet shumë, të gjitha tullat i kanë rënë në tokë. Fëmijët e kanë kryer shkollën, mirëpo punë s’ka. Unë kisha dashur të punoj në “Komunalec” si pastrues, pasi për ndonjë punë të rëndë nuk jam i aftë, sepse jam i sëmurë prej zemre. Më është dashur të shkojë përsëri në spital, mirëpo pa para si mund të shkojë”, thotë Saliu.
Ai bënë apel deri tek të gjithë ata që kanë mundësi, t’i shtrijnë dorën dhe t’i ndihmojnë. “Bëjë apel deri tek të gjithë ata që kanë mundësi sado pak të më ndihmojnë në rregullimin e shtëpisë, sepse tani për tani më shumë kamë nevojë për një shtëpi.
Ne çdo natë flemë me frikë se mos do na shembet mbi kokë. I lutem të gjithë bamirësve le të më ndihmojnë se me të vërtetë kam nevojë”, thekson Muharrem Saliu. Familja Saliu vazhdon të jetojë me shpresën se një ditë do të gëzohen me një shtëpi së bashku dhe të vendosin kokat e tyre në një jastëk ku mundë të flenë të qetë dhe pa frikën e shembjes së saj.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.