Pas samitit të Berlinit, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të takohen edhe një herë gjatë kësaj jave, ku temë qendrore e këtij takimi pritet të jetë dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.
Njohës të çështjeve politike thonë se në këtë takim çështje kyçe që do të diskutohen janë taksa dhe dialogu, përcjellë KOHA.
Analisti politik Behlul Beqaj, vizitën e kryeministrit Haradinaj pas samitit të Berlinit dhe para atij të Parisit, e lidh me atë se në këtë takim do të vendoset se a mundet Qeveria Haradinaj të përfundojë procesin e dialogut.
Sipas tij, ajo çfarë do të ndodhë në këtë takim, do të jetë një argument shtesë në funksion të sqarimit të pozicionit edhe sa i përket mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë.
Beqaj thotë se takimi i kryeministrit Haradinaj me kancelaren Merkel lidhet edhe me takimin e Parisit më 1 korrik.
Në anën tjetër, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se në këtë takim përveç dialogut, do të diskutohet edhe taksa ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Ai shprehet se në këtë takim do të diskutohet edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Sa i përket taksës, Murati thotë se deri më tani kryeministri Haradinaj nuk iu është nënshtruar presioneve për pezullimin e saj.
Pas samitit të Berlinit, liderët shtetërore me ftesë të presidentit të Francës Emmanuel Macron me 1 korrik do të mblidhen në Paris.(koha.mk)