Hulumtimi i koalicionit të organizatave rinore “Sega” tregon se 57 për qind e të anketuarve kanë frikë të paraqesin çfarëdolloj shkeljeje për dy arsye: E para për atë se mund të humbin vendin e punës dhe e dyta, heshtin duke ndjekur shembullin e të tjerëve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 nëntor – Mbrojtja e të drejtave të punëtorëve në Maqedoni është një çështje mjaft komplekse, e stëngarkuar me më shumë probleme që janë shtresuar me vite të tëra. Një pjesë e sindikalistëve në vend thonë se dy janë problemet kryesore në avancimin e të drejtave të punëtorëve në Maqedoni. Së pari, shteti duhet të krijojë një ambient të tillë ku pronarët e bizneseve më shumë do të respektojnë krijuesin e vlerave në kompani. E dyta duhet të fuqizohet edhe roli i sindikatës, ndërsa punëtori të mos ketë frikë të ankohet për shkeljen eventuale të të drejtave gjatë procesit të punës, shkruan gazeta KOHA.
Sipas Dragi Jovanovskit, kryetarit të Sindikatës Multietnike të Arsimit, mbrojtja më e madhe e të drejtave të punëtorëve në Maqedoni në radhë të parë kërkon një dialog social midis qeverisë, punëdhënësve dhe sidnikatës ku nevojitet që vetë pronari i biznesit të flet dhe të realizojë mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
“Pronarët e bizneseve në Maqedoni në radhë të parë duhet më shumë të respektojnë djersën e punëtorit prej të cilës jetojnë dhe realizojnë profit. Njëherazi nevojitet që në çdo firmë të formohet sindikatë ku punëtorët lirshëm do të flasin për problemet e ndryshme.Në këtë drejtim ka filluar edhe harmonizimi i legjislacionit evropian dhe legjislacionit vendor lidhur me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”, thekson Jovanovski.
Sipas kryetartit të “MESO”, ku bëjnë pjesë edhe veprimtari të tjera jashtë arsimit si Sindikata e xeherores Sasa, në periudhën e kaluar , punëtorët bile kishin frikë edhe të shkojnë në gjyq për të drejtat e tyre, nga shkaku se do të humbin kohë , por edhe para që nuk i kanë në proceset e gjata gjyqësore me pak shpresë se në fund do të ketë epilog pozitiv për ankesat e tyre. Thënë ndryshe, punëtorët vlerësonin se thjeshtë nuk ju shpaguhej të kërkojnë të drejtat e tyre përmes rrugës gjyqësore .
“Në të ardhmen duhet që tejkalohet frika dhe të sajohet një ambient që punëtori të mos ketë frikë të ankohet, dhe të mos diktohet çështja e të drejtave të punëtorëve nga ana e kapitalit.Andaj nevojitet që të përkrahen në çdo aspekt jo vetëm financiar sindikatat , por vetëm ato të pavarura që me të vërtetë paraqesin zërin e punëtorit”, shton më tej Jovanovski. Sipas tij, nevojitet që nga ana e shtetit të përcaktohet se kush me të vërtetë ka të drejtë të përfqëson punëtorët, apo me fjalë të tjera të zgjidhet çështja se cila sindikatë në praktikë edhe realisht prezenton punëtorët karshi pushtetit dhe punëdhënësve.
Nga ana tjetër, shpesh ndodh që nuk respektohet orari i punës prej tetë orë dhe nuk paguhen orët shtesë për punën për ditët e uikendit apo të pushimeve shtetërore.Njëherazi në degë të ndryshme ekonomike nuk ekziston sindikata. Shpesh ndodh që edhe atje ku punëtorët janë të organizuar në sindikat, të njejat as funksionojnë në praktikë.
Ndryshe, dy të tretat e të rinjve konsiderojnë se të drejtat e punëtorëve janë të shkruara vetëm në letër dhe të njëjtët nuk i mbrojnë të drejtat e tyre, tregon hulumtimi i koalicionit të organizatave rinore “Sega”. “Hulumtimi tregon se 57 për qind e të anketuarve kanë frikë të paraqesin çfarëdolloj shkeljeje për dy arsye: E para për atë se mund të humbin vendin e punës dhe e dyta, heshtin duke ndjekur shembullin e të tjerëve. Ky hulumtim gjithashtu tregon se 10 për qind e të punësuarve në Maqedoni, punojnë me marrëveshje verbale ose pa marrëveshje. Ndërkaq 10 për qind e numrit total të të punësuarve në vend nuk u është dhënë që ta lexojnë marrëveshjen që e kanë nënshkruar”, thotë Zoran Ilievski, Koalicioni i Organizatave Rinore “Sega”. (koha.mk)