Evis HALILI
Shkup, 21 mars – Me akses të kufizuar në shërbimet shëndetësore, kopshte e çerdhe, jeta e grave në zonat rurale nuk i shmanget dot hendekut gjithnjë e më të thellë të ndarjes së roleve tradicionale, duke ofruar më shumë barriera sesa mundësi për të jetuar më mirë, shkruan gazeta KOHA. Në një analizë të kryer nga Komiteti i Helsinkit, konstatohet se gratë e anketuara në pjesën më të madhe të rasteve jo vetëm që nuk arrijnë të kërkojnë të drejtat e tyre, por nuk arrijnë as të dallojnë nëse të drejtat e tyre janë të cenuara, apo se për to duhet të ngrenë zërin.
Më konkretisht, të drejtat e grave në zonat rurale konsiderohen si tema tabu, si pjesë e traditës së vuajtjes, të nënshtrimit ndaj dominimit mashkullor. Edhe pse konstatohet se jeta e grave rurale në përgjithësi dallon nga ajo e dekadave më parë, matrica patriarkale dhe përcaktimi i roleve mashkull-femër ndikon fuqishëm në organizimin e familjes dhe rolin e gruas në këto zona.
“Sipas pjesës më të madhe të të intervistuarave tradita duhet respektuar, por edhe kundrejt faktit që jeta e tyre është përmirësuar konsiderojnë se jeta në familjet e gjyshërve të tyre ka qenë më e lumtur, një pjesë thonë se gratë mund të kenë qenë më parë të paarsimuara, por kanë qenë më të urta dhe shtylla të familjes. Ato pohojnë se kanë më shumë barazi se më parë, por kur përshkruajnë sesi e kalojnë ditën krijohet përshtypja se jetojnë në botën e roleve të përcaktuara gjinore në bazë të stereotipave”, thuhet në raport. Kryetarja e Komitetit të Helsinkit Uranija Pirovska vuri në duke se tani që po hapet kjo temë tabu duhet të punohet më shumë për përmirësimin e jetës së këtyre grave në të gjitha drejtimet.
“Dëgjojmë shpesh për vajza të vogla në moshë që shiten, për adoleshente që lindin fëmijë, që braktisin shkollën, martohen dhe shndërrohen në krah pune në familje për të vetmen arsye se janë femra. Ne si organizata civile mund ta paraqesim vetëm si fakte, por veprimi duhet të ndërmerret nga ana e shtetit, e cila është përgjegjëse për t’i mundësuar atyre të drejta sociale, mbrojtje shëndetësore, arsimim”, ka thënë Pirovska. P
roblemet me të cilat hasin gra të moshave, etnive dhe edukimit të ndryshëm nuk kanë ndonjë dallim të madh. Një pjesë ankohen vetëm nga dhuna fizike që ushtrohet ndaj tyre, ndërsa atë psikike as që e llogarisin, përveç rasteve të grave që janë pjesë e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të grave. Rastet e dhunës, si një prej shkeljeve më flagrante të të drejtave denoncohen në numër të vogël, jo vetëm për shkak se në disa rajone, si ai i Pollogut mungojnë qendrat e strehimit, por edhe nga paragjykimet e rrethit ku jetojnë dhe pabarazisë ekonomike.
“Një grua orvatej ta zgjidhte vetë problemin, sepse kishte denoncuare rastin, por fundi i saj ishte i keq, prandaj edhe nuk denoncojnë”, shprehet një e anketuar.
Sipas tyre, askush nga komuniteti nuk i ndihmon viktimave, pasi këto çështje konsiderohen si private që duhet të zgjidhen brenda familjes. Disa prej grave shqiptare të anketuara pohojnë se nuk është i vogël numri i rasteve kur dhuna ushtrohet jo vetëm nga burrat, por edhe gratë e tjera të bashkësisë familjare, si kunata dhe vjehrra. Në Pollog, aty ku edhe nuk ka qendra për strehimin e viktimave, në rastet e denoncimit të dhunës itinerari i dhunuarave kalon nga shtëpia e prindërve tek ajo e bashkëshortit.
“E ka denoncuar burrin, por thotë se nuk shpëton dot prej tij. Erdhi tek unë në shtëpi, mbante syze dhe nuk donte t’i hiqte, por ç’të shihja sytë i kishte të nxirë”, thotë një pjesëmarrëse në këtë analizë. Si probleme të tjera në këtë analizë vijnë edhe një sërë të drejtash të tjera të cilat gratë nuk mund t’i realizojnë. Mbrojtja shëndetësore në një pjesë të madhe të fyshtrave është e kufizuar, mungesa e ambulancave nga njëra anë, e sigurimit shëndetësor të një pjese të mirë të grave i privon nga aksesi i rregullt në shërbimet shëndetësore. Analiza e publikuar nga Komiteti i Helsinkit është pjesë e projektit të financuar nga ambasada e Britanisë së Madhe. (koha.mk)