Fakti që më shumë se një e treta e fëmijëve të anketuar kanë qenë dëshmitarë të diskriminimit është shqetësues, kështu që ata thanë se ekziston nevojë urgjente për socializimin e grupeve të diskriminuara të fëmijëve dhe integrimin e tyre në shoqëri, më pas edukimin e të rriturve për diskriminimin dhe angazhimin e mësuesve, por edhe edukimin për rolin dhe rëndësinë e burimeve financiare në jetë
Zenel MIFTARI
Shkup, 2 dhjetor – Raporti i fundit i Ambasadës së Parë të Fëmijëve në Botë “Megjashi” mbi gjendjen e të drejtave të fëmijëve në Maqedoninë e Veriut, është prezantuar para publikut të gjerë. Ajo që tërhoqi vëmendjen e publikut, është se ky raport është i tërësisht nga këndvështrimi i fëmijëve, për shkak e një grup i nxënëseve nga të gjitha qytetet e vendit nga mosha 12 deri në 17 vjeçare e kanë përgatitur këtë raport.
Ky raport i është dorëzuar Komitetit të KB për të Drejtat e Fëmijëve, brenda procesit të raportimit të vazhdueshëm mbi zbatimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve në Maqedoninë e Veriut. Ky raport përmban njohuri të hollësishme për fëmijët në raport me të drejtat e fëmijëve në vend dhe rekomandime të sakta për tejkalimin e problemeve me të cilat përballen dhe mangësitë e sistemit, të cilat janë të ndara në shtatë njësi tematike. Ato janë njohja me të drejtat e fëmijëve dhe respektimi i tyre, dhuna ndaj fëmijëve, diskriminim, koha e lirë, aktivitete sportive dhe kulturore, fëmijët e rrugës, edukimi dhe mjedisi.
Lidhur me ndërgjegjësimin për të drejtat e fëmijëve dhe respektimin e tyre, sipas këtij hulumtimi fëmijët ende nuk janë mjaft të vetëdijshëm për të drejtat e tyre. Raporti thekson se 62 për qind prej tyre kanë dëgjuar për Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, por vetëm një pjesë shumë e vogël, apo vetëm tre për qind prej tyre e kanë lexuar atë. Rezultatet e hulumtimit thonë se 1/3 e fëmijëve, nga ana tjetër, nuk kanë dëgjuar kurrë për Konventën për të Drejtat e Fëmijëve. Sipas deklaratave të fëmijëve që morën pjesë në hulumtim, e drejta për arsimim kryesisht nuk respektohet, veçanërisht te komuniteti rom, e drejta për të luajtur, e drejta për një mjedis të pastër, e drejta për mendimin, e drejta për shprehjen e një personi dhe trajtim i pabarabartë i fëmijëve për shkak të etnisë apo fesë së tyre.
Tema e dytë e mbuluar nga ky hulumtim është përfshirja e fëmijëve në disa lloje të dhunës që ata mund të bëhen viktima, duke përfshirë dhunën fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike, familjare, me bazë gjinore, kolegësh dhe “kibernetike”. Në përgjithësi, raporti thekson se 10 për qind e fëmijëve kanë qenë ndonjëherë viktimë e dhunës, dhe më shumë se 20 për qind prej tyre njohin dikë që ka qenë viktimë e një forme të dhunës. Ndryshe, një numër i madh i fëmijëve deklaruan se moshatarët e tyre shpesh tallen me ata dhe bëjnë thashetheme në shkollë për ata, apo kanë qenë viktimë e dhunës verbale në shkollë nga shokët e tyre dhe për këtë fenomen mësuesit nuk kanë ndërmarr asnjë masë për ta parandaluar.
Diskriminimi është gjithashtu një problem i zakonshëm me të cilin përballen fëmijët. Sipas sondazhit, 42 për qind e fëmijëve ndiheshin të diskriminuar në një situatë të veçantë, kryesisht për shkak të moshës, gjinisë, statusit financiar të familjes dhe etnisë së tyre, por ata thanë se ishin gjithashtu të diskriminuar edhe për shkak të pamjes së tyre, vendbanimit, të jetuarit, stili i tyre i veshjes dhe muzika që ata e dëgjojnë. Fakti që më shumë se një e treta e fëmijëve të anketuar kanë qenë dëshmitarë të diskriminimit është shqetësues, kështu që ata thanë se ekziston nevojë urgjente për socializimin e grupeve të diskriminuara të fëmijëve dhe integrimin e tyre në shoqëri, më pas edukimin e të rriturve për diskriminimin dhe angazhimin e mësuesve, por edhe edukimin për rolin dhe rëndësinë e burimeve financiare në jetë, si dhe promovimin e barazisë gjinore, veçanërisht në zonat rurale dhe në rajonet ekonomikisht më pak zhvilluara.
Tema tjetër që fëmijët hulumtuan ishte koha e lirë, loja, sporti dhe aktivitetet kulturore, për të cilat përfundimi kryesor është se fëmijët në të vërtetë nuk kanë kohë të mjaftueshme të lirë për veten e tyre. Hulumtimi si arsyet kryesore shprehet se për shumicën e fëmijëve 64 për qind, koha e tyre e lirë është e kufizuar për shkak të shumë detyrave të shtëpisë dhe përgjegjësive të tjera të shkollës, por gjithashtu ata deklarojnë se nuk kanë kohë të lirë të mjaftueshme për të luajtur për shkak të aktiviteteve jashtëshkollore dhe përgjegjësive ndaj familjes. Ndryshe, ani edhe pse shumë aktivitete kohëve të fundit po zhvillohen për parandalimin e diskriminimit, ai është ende prezent dhe mund të shihet qartë në rrugë. Këtë e mbështet edhe faktin se shumë prej fëmijëve nuk kanë dokumente, jetojnë në kushte të këqija, nuk kanë qasje në arsim dhe shërbime të tjera të cilat duhet të sigurohen nga shteti. (koha.mk)