Evis HALILI
Shkup, 28 prill – Dita botërore e të drejtave të autorit dhe pronësisë industriale në Maqedoni, nuk u shënua me ndonjë organizim të veçantë nga institucionet shtetërore, përveç ceremonisë së ndarjes së patentës së vitit nga ana e Entit të Pronësisë Industriale, shkruan gazeta KOHA. Respektimi i të drejtave të autorit dhe atyre që lidhen me to, shënohet me një sërë aktivitetesh në të gjithë botën, që në fokus kanë nxitjen e debatit dhe mbrojtjen kundër piraterisë në art, përdorimeve të paautorizuara të markave tregtare dhe patentave industriale. Në Maqedoni më të cenuar janë muzikantët. Të paktën kështu pohojnë në Ministrinë e Kulturës, lidhur me ankesat që kanë lidhur shkeljet e të drejtave autoriale. Edhe pse paraqitjet janë në numër të vogël, kryesisht kanë të bëjnë me krijuesit në sferën e muzikës. Vetë ligji për mbrojtjen e të drejtave të autorit nuk është i kompletuar. Ishin ndryshimet ligjore të bëra një vit më parë që shkaktuan pakënaqësi, sidomos tek pjesa e organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave autoriale. Ndërkohë që janë të mundshme ndryshime dhe plotësime të reja në këtë ligj. Nga Ministria nuk japin ndonjë hollësi rreth përmbajtjes së paketës së re të ndryshimeve ligjore, nëse kanë të bëjnë sërish me kontrollin e sistemit të evidencës elektronike, apo me licencimet e më shumë organizatave për të mbrojtur të drejtat e autorit.
“Kemi formuar një grup pune me përfaqësues të të gjitha palëve të tanguara, e cila po punon në hartimin e një pakete me ndryshime për ligjin e të drejtës së autorit dhe të drejtave që lidhen me të, me theks tek menaxhimi kolektiv i të drejtës së autorit. Këto ndryshime bëhen me qëllim të harmonizimit të kësaj materie me direktivat relevante të BE”, thotë për KOHA, zëdhënësja Anita Jovanoska.
Vetë Ligji për të drejtat e autorit është miratuar në vitin 2010, konform të gjitha dokumenteve dhe lëndëve standarde në këtë sferë, për të mundësuar ndërtimin e një sistemi që do të mbronte të drejtat e autorit dhe pronësisë. Por vetë ligji gjatë këtyre shtatë viteve pësoi një sërë ndryshimesh. Më të debatuarat ishin ato të vitit të kaluar, kur Ministria e Kulturës propozoi një paketë të re me ndryshime dhe plotësime në funksionimin e sistemit elektronik nga ana e organizatave të menaxhimit kolektiv për evidentimin e veprave autoriale të realizuara dhe të transmetuara në radiotelevizione. Kështu, të drejtat dhe detyrimet lidhur me funksionimin e sistemit të evidencës elektronike sipas këtyre ndryshimeve rirregullohen përmes nënshkrimit të marrëveshjeve mes mediave dhe organizatave të menaxhimit kolektiv, ndërsa në rast të mosrespektimit të dispozitave dhe normave ligjore, do të gjobiten deri në tre mijë euro. Ndërsa kompensimi që do të marrin autorët do të përllogaritet sipas minutazhit të transmetimit dhe në formë afrofe. Në mesazhin e Ditës Botërore të të drejtës intelektuale ajo konsiderohet si pjesë integrale e tregtisë ndërkombëtare dhe rëndësia e saj sa vjen e shtohet. Edhe për shkak të globalizimit dhe ekonomisë dhe rritjes së shpejtë të teknologjisë digjitale dhe internetit që ka patur një efekt të përgjithshëm në mbrojtjen e pronësisë Intelektuale në mbarë botën.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara