Edhe pse ekziston rregullativa ligjore në formën e marrëveshjeve, ligjeve, rregulloreve dhe udhëzime, në praktikë çdo gjë nuk funksionon si duhet, kështu që është pothuajse e pamundur për të diplomuarit e Kosovës të punësohen në Serbinë
Shqiptarët në Luginën e Preshevës vazhdojnë të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë në Serbi. Të drejtat kolektive të tyre assesi të gjejnë trajtim adekuat në legjislacionin serb, kurse Beogradi zyrtar vazhdon t’i injoroj disa marrëveshja të cilat kanë të bëjnë me statusin e shqiptarëve në këtë pjesë të harruar të rajonit.
Studentët shqiptarë që diplomojnë në universitetet e Kosovës, vazhdojnë të kenë probleme me diplomat e tyre për arsye se Serbia, përkundër marrëveshjes së Brukselit, këmbëngul që të mos i njoh ato. Në Komisionin për Arsim të Lartë pranë Këshillit Nacional Shqiptar thuhet se nuk ka përparim për njohjen e diplomave. Pasojat e mos-zbatimit të marrëveshjes për njohjen e diplomave, të arritur në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtarë, më së shumti po i vuajnë shqiptarët e Kosovës Lindore, të cilët tradicionalisht arsimimin universitarë e përfundojnë në Kosovë. Që prej vitit 2008 deri më tani, janë 11 gjenerata kuadrosh që nuk janë këtu pari. Lugina e Preshevës po zbrazet nga të rinjtë, nga pjesa më produktive, është shprehur për radio Evropa e Lirë, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa. Përderisa në Bujanoc mungesa e mjekëve është një nga problemet më të mëdha, Almedin Ramizi nga Bujanoci, mjek i përgjithshëm me profesion, që pesë vjet pret nostrifikimin e diplomës së Universitetit të Prishtinës nga ana e autoriteteve serbe. Edhe Fismir Jegiu jeton në Bujanoc. Ka mbaruar studimet bazike dhe master në Prishtinë në Departamentin për Menaxhim dhe Informatikë në Fakultetin e Ekonomisë. Tash dy vjet nuk ka marrë asnjë përgjigje në kërkesën për nostrifikimin e diplomave të tij në Serbi. Për këtë arsye në institucionet shtetërore në Serbi mund të gjejë punë vetëm me shkollë të mesme
Me Rregulloren e Qeverisë nga viti 2014, e ndryshuar dhe plotësuar në vitin 2016, dhe e miratuar në bazë të ndryshimeve në Ligjin për arsimin e lartë, si dhe të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel në lidhje me njohjen e ndërsjellë të diplomave, është rregulluar mënyra e njohjes së diplomave të Kosovës në Serbi. Qendra Kombëtare për Njohjen e Dokumenteve të Shkollave të Larta të Huaja (ENIC/NARIC) është përgjegjëse për vlerësimin e programit të studimit të huaj për qëllime punësimi, ndërsa njohja për qëllimet e vazhdimit të arsimit kryhet nga universitetet.
Afati për njohjen akademike është maksimum 5 muaj, ndërsa periudha e njohjes për qëllime punësimi është dukshëm më e shkurtë dhe është 3 muaj. Megjithatë, edhe pse ekziston rregullativa ligjore në formën e marrëveshjeve, ligjeve, rregulloreve dhe udhëzime, në praktikë çdo gjë nuk funksionon si duhet, kështu që është pothuajse e pamundur për të diplomuarit e Kosovës të punësohen në Serbinë.
Procesi i njohjes së diplomave nga Kosova në Serbi është jofunksional dhe se procesi i njohjes së diplomave në Qendrën ENIC/NARIC zgjat deri në tre vjet, ndërsa shumë parashtrues të kërkesës nuk marrin as përgjigje në kërkesë. Në anën tjetër, mosnjohja e diplomave të lëshuara nga universitetet e Kosovës nga Serbia ka dekurajuar shumë të rinj nga Lugina e Preshevës që të vazhdojnë studimet në Prishtinë pas mbarimit të shkollës së mesme. Nita Fejzullahu, është nxënëse e shkollës së mesme në Bujanoc. Ajoi tha Evropës së Lirë se nuk mendon se do të vazhdojë studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Edhe për skaj dëshirës së madhe për të studiuar në Prishtinë, atë e demotivon mos njohja e diplomave nga autoritetet Serbe, dhe vështirësitë për tu punësuar pas diplomimit në UP.
Sipas kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë viktimë e raporteve Kosovë-Serbi. Por është me rëndësi të vazhdojë dialogu (Kosovë – Serbi) që shpresojmë të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Sipas tij, shqiptarët e Luginës së Preshevës presin që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë të ndihmojë shqiptarët e Luginës së Preshevë që të dalim nga situata aktuale, e cila siç thotë ai, po i mbanë peng ata.