Të dielën pritet të mbërrijnë 3000 vaksinat e para në Maqedoni

44

Sipas informacioneve që i ka kryeministri Zoran Zaevi të dielën në vend duhet përmes DHL-së të mbërrijnë 3000 vaksinat e para të furnizuara.

“Çdo ditë presim informacion konkret kur do të mbërrijnë vaksinat. Tani kam informacion konkret kur do të mbërrijnë por si të them, nëse nuk mbërrijnë? Të dielën i presim tre mijë vaksinat e para që do të vijnë përmes DHL-së, ndërsa ministri organizohet me ambasadorin t’i presë dhe ato të lëshohen”, deklaroi Zaevi duke u përgjigjur në ypetjen e gazetarëve pas vizitës së kopshtit të rikonstrukuar në Karposh.

Ai përkujtoi se gjatë ditës së djeshme edhe Ministria e Shëndetësisë publikoi se janë konfirmuar 21 mijë vaksina nga Fajzeri. Marrëveshja përfundimisht është konfirmuar, tha, pas të gjitha pyetjeve të cilat i shtruan shërbimet e tyre. Ministri Filipçe, theksoi Zaevi, e tregoi dinamikën sa do të mbërrijnë në tremujoron e parë, çfarë është për tremujorin e dytë, çfarë është për tremujorin e tretë dhe të katërt.

“Mbërrin edhe informacioni edhe nga Kovaks deri në fund të tremujorit të parë, gjegjësisht deri në fund të këtij muaji do të mbërrijnë sasitë e para, ndërsa ato janë mes 20 dhe 30 mijë. Ashtu që në mars do të fillojë vaksinimi masiv sipas protokolleve – krahas punonjësve shëndetësorë, do të vaksinohen edhe të sëmurët kronikë dhe qytetarët e moshuar”, tha kryeministri.

Ai theksoi se vendi ende pret vaksina nga Kina ku ishte paguar avansi, i cili pastaj ishte tërhequr. Në konfirmimin dhe sigurimin e sasive të vaksinave, tha Zaevi, përveç ministrit të Shëndetësisë punojnë edhe ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Çështjeve Evropiane.

Zaevi informoi se ka edhe oferta të reja për furnizim të vaksinave të AstraZenekës, të cilat, siç tha kanë sasi më të qëndrueshme. Paralajmëroi se gjatë ditës do të bisedojë me përfaqësues britanikë të nivelit më të lartë që të shihet nëse mundet për shtatë deri dhjetë ditë të mbërrijnë edhe ato vaksina.