Të dielën mbahet Festivali i 18-të për fëmijë “Ylberi”

Shkup, 25 tetor – Të dielën në Shkup mbahet edicioni i tetëmbëdhjetë i Festivalit për fëmijë “Ylberi”. Do të prezantohen 20 këngë nga fëmijë të moshës deri 13 vjeç. Drejtori i Festivalit, Adem Ymeri, për gazetën KOHA thotë se këtë vit, 10 këngë do të interpretohen nga fëmijë deri në moshën 9 vjet, ndërsa dhjetë të tjera të fëmijëve prej moshës 9 e gjysmë deri 13 vjet. “Festivali  ‘Ylberi’, si tradicionalisht – prezanton 20 këngë të reja për fëmijë e që do të marrin pjesë fëmijë nga gjitha qytetet e Maqedonisë, tre nga Kosova respektivisht Prishtina, Ferizaj dhe Rahoveci, si dhe tre nga Shqipëria – nga qyteti i Shkodrës, Fushë Kruja dhe Elbasani. Festivali mbahet më 29 tetor me fillim në orën 17:00 në Teatrin Popullor Maqedonas, me kapacitet për 600 persona. Festivali ka karakter garues. Do të garojnë 10 këngë të fëmijëve deri në moshën 9 vjet, dhe dhjetë të tjera të fëmijëve prej moshës 9 e gjysmë deri 13 vjet. Në fund do të zgjidhet edhe kompozimi më i mirë i festivalit për këtë vit”, tha Ymeri. Biletat janë në shitje tek shkolla fillore “Rajko Zhinzifov”, në Fushë Tophanë. “Ylberi” është festivali i vetëm shqiptar i këtij lloji në Maqedoni, i cili promovon në mënyrë aktive vlera të mirëfillta fëmijërore përmes artit muzikor. (koha.mk)