Rikthehet sfida e shumëpritur mes Barcelonës dhe Çellsit, në kuadër të ndeshjes kthyese të 1/8 së finales në Ligën e kampionëve. Cekim, ndeshja e parë e cila u zhvillua në Londër, përfundoi baras 1-1, një rezultat i cili i jep përparësi katalanasve, të cilët me 0-0 do të plasohen në çerekfinale. Mirëpo, skuadra londineze gëzon një respekt të madh kur luan në “Camp Nou”, pasi ata në katër përballjet e fundit janë të pamposhtur. Derisa, këto dy ekipe janë përballur me njëri tjetrin 13 herë, ku Çellsi i fitoi katër ndeshjet, tre Barcelona, ndërsa gjashtë ndeshje përfunduan baras.
E veçanta e përballjes së sotme është Cesk Fabregas, i cili për herë të parë pas largimit nga Barcelona në vitin 2014, rikthehet në “Camp Nou” dhe do të luajë kundër ish-skuadrës së tij. Ai shpreson që skuadra e tij të kualifikohet në çerekfinale, ndërsa pranon se e motivon e kaluara me klubin katalanas dhe nuk e pengon, por nuk është në gjendje të thotë nëse do të festojë po shënoi gol në “Camp Nou”.
“Nuk e di nëse do të festoj, por nuk besoj, varet nga momenti”, – tha Fabregas. – Nuk më bezdis fakti se do të luaj kundër të kaluarës sime, kundër miqve. Në të kundërtën, kjo më motivon. Në fund të fundit, askush nuk ka dyshime se do të kërkoj më të mirën për ekipin tim. Çellsi është më i rëndësishëm. Çfarë ndodh me mua, është dytësore. Ajo që ne duam është të kualifikohemi në çerekfinale, asgjë tjetër”, shtoi më tej Fabregas. Në fushën e futbollit, Cesk beson se mentaliteti do të jetë element kyç. “Ne duhet të jemi pozitivë dhe të mos humbasim. Mund ta eliminojmë Barçën”, – vlerësoi ai, përpara se të lavdërojë Messin. – Barça është ekuilibër dhe Messi, ndaj ne duhet ta bëjmë këtë duet të pakëndshëm. Është një ndeshje e shkëlqyer, në një fazë të shkëlqyeshme të Ligës së Kampioneve. Mos harroni se edhe Çellsi është një skuadër e madhe”. Në ndeshjen e parë, që përfundoi në barazimin 1-1 në Londër, mesfushori spanjoll evidentoi punën e mirë të trajnerit Conte: “Në ndeshjen e parë, Barcelona e pati në zotërim topin, por pa krijuar asnjë mundësi”, përfundoi Fabregas.
Në anën tjetër, trajneri i Çellsit, i cili nuk është optimist pasi siç thotë i mungon përvoja dhe se do të vuajnë ndaj katalanasve. “Përvoja është gjithmonë e rëndësishme. Ne duhet të punojmë si ekip, që të jemi gati. Patjetër, duhet të jemi të përgatitur të vuajmë në këtë lloj ndeshjeje, sepse kur luani kundër këtij ekipi, një nga më të mirët në botë, duhet të jeni gati të vuani”, deklaroi Konte, i cili kur ishte trajner i Juventusit, arriti të eliminojë katalanasit. Ndërkohë, trajneri i Barcelonës Ernesto Valverde beson se barazimi 1-1 nga ndeshja e parë nuk është një shenjë përfundimtare se të tijtë sonte do të përparojnë në çerekfinale. “Barazimi në Londër ka qenë shumë i rëndësishëm. Goli në fushë kundërshtare në të tilla ndeshje nuk është kualifikim definitiv, por mbetet mjaft i rëndësishëm”, deklaroi Valverde.
Ndërkohë, Beshiktashi do të pret Bajernin, në një ndeshje ku gjithçka është e qartë dhe prej ndeshjes së parë dihet se skuadra nga Munihu do të plasohet në çerekfinale, pas asaj fitore të thellë prej 5-0 në ndeshjen e parë.
DYSHET:
Beshiktash – Bajern M.
Barcelona – Çellsi