Fatos RUSHITI
Shkup, 2 tetor – Fushata parazgjedhore po hyn në fazën më të nxehtë të saj kur partitë kanë përqendruar maksimalisht forcat në terren për të bindur qytetarin shqiptar për dhënin e votës, shkruan gazeta KOHA. Por cilat janë vlerësimet partive politike shqiptare për rrjedhën e fushatës deri më tani dhe cila janë pritjet reale në këto zgjedhje sa i përket fitoreve në komunat shqiptare. Si BDI ashtu dhe ASH, atmosferën e llogarisin pozitive dhe deri në fund shpresojnë se fushata do të kalojë pa incidente, ndërsa sa i përket fitoreve – këto dy parti shpresojë të fitojnë në disa komuna që në rrethin e parë. Fitore në shumicën e komunave shqiptare llogarisin edhe nga Lëvizja BESA, duke shpresuar se sovrani, siç thonë nga BESA, do të thotë PO për Bilall Kasamin në Tetovë dhe PO për Zeqirija Ibrahimin në Çair. Në BDI vlerësojnë se fushata parazgjedhore deri më tani është pozitive dhe demokratike, ndërsa përcaktimi fillestar i kësaj partie nga kontaktet e drejtpërdrejta me qytetarët po jep frytet e veta dhe shpresojnë që kjo frymë pozitive të shkojë deri në fund të fushatës. “BDI vlerëson se fushata parazgjedhore po kalon në një atmosferë të qetë dhe pozitive, kur ne si parti kemi ofruar kandidatët më të mirë që kanë përvojën e duhur dhe vizionin e qartë për zhvillimin e komunave shqiptare, gjë që nuk mund ta vërejmë dhe tek rivalët politikë. Shpresojmë që kjo frymë pozitive të shkojë deri në fund të fushatës dhe urojmë që zgjedhjet të mbahen pa incidente. Përcaktimi i ynë fillestar për fushatë të drejtpërdrejtë me qytetarët tanimë po jep frytet e veta duke parë një interesim të madh të qytetarëve për të dialoguar me kandidatët tanë për kryetare komune. Të njëjtit, pra kandidatë – mbajnë shënime në çdo takim duke evidentuar pikë për pikë brengat dhe problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët dhe duke u zotuar se do t’ua zgjidhin ato gjatë mandatit të ri katërvjeçar”, theksoi për KOHA zëdhënësi i Shtabit zgjedhor të BDI-së, Arbër Ademi. Lidhur me kritikat e partive tjera se gjatë mandateve të kaluar jo të gjithë kryetarët e komunave nga BDI kanë realizuar ato që kanë premtuar, Ademi thotë se qytetarët janë koshient dhe dinë të ndajnë, siç u shpreh ai, të përgjegjshmit dhe punëtorët nga ata që përhapin gënjeshtra dhe dezinformata. Ademi shton se të gjitha të arriturat e BDI-së në pushtetin lokal mbajnë vulën e kryetarit Ali Ahmeti. “Qytetarët janë koshient dhe dinë të na dallojë prej të tjerëve, prej atyre që gënjejnë dhe japin dezinformata se ne nuk i kemi realizuar ato që kemi premtuar. Hidhni një sy komunave shqiptare dhe do të shihni se aty tashmë kanë ndërruar fizionomi në çdo pikëpamje. Kjo, si rezultat i njerëzve të përgjegjshëm të BDI-së që kanë udhëhequr me ato komuna. Çdo sukses i BDI-së në çdo komunë mban edhe vulën e kryetarit Ali Ahmeti. Diku me shumë diku ndoshta jo aq sa është dashur, po çdoherë është punuar në të mirën e përgjithshme kur kanë përfituar qytetarët shqiptarë”, tha Ademi. Sa i përket pritjeve të BDI-së në këto zgjedhje, Ademi thotë se BDI që në rrethon e parë do të shihet fituese duke fituar me Kërçovën, Dibrën, Sarajin dhe Zhelinën. Nga Aleanca për Shqiptarët, shef i Shtabit, Elmi Aziri, thotë se partia e tij angazhohet për një fushatë të qetë dhe pa incidente, duke shtuat se strukturat e ASH dhe anëtarësisë së gjerë nuk janë të prirur drejt dhunës dhe dezinformatave si partitë tjera. Aziri siguron se struktura e ASH-së po punojnë që procesi zgjedhor të kalojë në një atmoseferë evropiane dhe demokratike. “Ne si ASH angazhohemi maksimalisht çdo ditë që fushata parazgjedhore të kalojë e qetë dhe pa incidente. Përkundër qëndrimit tonë se do të jemi korrekt në të gjitha format e paraqitjes gjatë fushatës, këtë nuk e shohim edhe tek partitë tjera duke u marrë me dezinformata dhe tentime ta bindin opinion se këto dhjete vite gjithçka ka qenë në rregull, kur realisht nuk ka qenë sa i përket zhvillimit të komunave shqiptare. Ne nuk jemi të prirur drejt dhunës dhe provokimeve, por strukturat tona partiake dhe anëtarësia e gjërë punojnë në atë drejtimin që procesi zgjedhor të kalojë në një atmosferë sa demokratike po aq dhe evropiane”, tha për KOHA Aziri. Sa përket pritjeve të ASH në këto zgjedhje, Elmi Aziri thotë se që nga Konventa në Tetovë, në partinë e tij ka një interesim të madh që ti bashkëngjiten Aleancës për Shqiptarët jo vetëm të rinjtë, por edhe shumë intelektualë. Në ASH, Aziri thotë se shpresojnë që ky trend i interesimit për këtë parti të vazhdojë deri në fund, duke çuar ASH-në drejt fitores që në rrethin e parë edhe atë në disa komuna, mes tyre dhe dy nga qytetet kryesore të Maqedonisë Perëndimore. Por fushata parazgjedhore nuk ka shkuar pa probleme deri më tani. Të shtunë në mbrëmje është thyer dhe demoluar shtabi i Lëvizjes BESA në Komunë e Butelit. Nga kjo parti kanë reaguar të dielën gjatë një konference për shtyp, duke dënuar një rast të tillë dhe duke u kujtuar partive tjera nënshkrimin e Deklaratës në KSHZ për zgjedhje fer dhe demokratike. “Pas vandalizmit të mbrëmshëm nga persona të papërgjegjshëm, me ç ‘rast u thyen xhamat e zyrës të Lëvizjes BESA në Butel, Lëvizja Besa shpreh shqetësimin e thellë lidhur me këtë akt barbar që bëhet nga persona të papërgjegjshëm dhe dashakeq. Ju kujtojmë këtyre personave si dhe porositësve të tyre se nëpërmjet këtyre veprimeve, ato vetëm edhe njëherë e tregojnë fytyrën e vërtet të tyre, të jotolerancës ndaj të gjithë të tjerëve, si dhe i porosisim që veprimet e këtilla neve si parti nuk na dëmtojnë aspak, por përkundrazi – ndikojnë te ne që të punojmë dhe angazhohemi edhe më tepër që këto keqbërës njëherë e përgjithmonë ti largojmë nga skena politike shqiptare, si dhe t’ia kthejmë këtij populli të përvuajtur lirinë në plotkuptimin e fjalës të humbur qe 15 vjet”, thanë nga shtabi lokal zgjedhor në Butel i Lëvizjes BESA. Nga kjo parti theksojnë se do të vazhdojnë me fushatën e tyre pozitive dhe se janë të vendosur ti shërbjnë vetëm popullit shqiptar. Ndërkaq sa i përket pritjeve në këto zgjedhje, nga Shtabi qendror zgjedhor thonë se fitorja e BESËS po shihet në sfond dhe se kjo fitore ka alarmuar qarqet antishqipatre për ta dëmtuar së të mundem deri në votime. “Ashtu siç korrëm fitore në zgjedhje parlamentare, edhe në zgjedhje lokale BESA do të fitojë shumicën e komunave shqiptare dhe kjo fitore prej tash po shihet në sfond. Fitorja e BESËS ka alarmuar BDI-në, por ajo s’do mundet ta pengojë atë meqë sovrani do ta thonë fjalën e vetë më 15 tetor edhe atë do të thotë PO për Bilall Kasamin në Tetovë, PO për Zeqirija Ibrahimin në Çair dhe PO për kandidatë e BESËS në të gjitha komunat tjera”, thonë nga Shtabi Qendror i Lëvizjes BESA.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.