Fridays for Future – Shkup të premten nga ora 15:00 do të organizojë protestë para Parlamentit dhe do të kërkojë shpjegim se pse miratimi Ligjit për menaxhim me mbeturina, me të cilin do të ndalohet importi i mbeturinave që digjen në vendin tonë, zvarritet vazhdimisht
Zenel MIFTARI
Nisma Fridays For Future do të vazhdoj përsëri me protestat me qëllim të sensibilizimit të problematikave mbi ambientin jetësor. Të premten do të jetë në fokus importi i mbetjeve të rrezikshme në Maqedoninë e Veriut. Nga Fridays for Future në thirrjen për protestë thuhet se lojërat oborrtare të cilat partitë politike i luajnë në Parlament, nën maskën e bisedimeve për Ligjin për menaxhimin me mbeturinat, janë provat e fundit që ajri i pastër është i parëndësishëm për ta në momentin kur rrezikon fitimet e bizneseve të mëdha, siç është biznesi që importon mbeturinat e rrezikshme.
“Në shenjë proteste “Fridays for Future” – Shkup të premten nga ora 15:00 do të organizojë protestë para Parlamentit dhe do të kërkojmë nga kryetari i Parlamentit të shpjegoi se pse miratimi i Ligjit për menaxhim me mbeturina me të cilin do të ndalohet importi i mbeturinave që digjen në vendin tonë zvarritet vazhdimisht”, thuhet në thirrjen e tyre. Ndërkohë nismëtarja e këtij Ligji, Maja Moraçani, nga partia DOM, ka theksuar se në dy komisionet kuvendare propozimi ka kaluar pa vërejtje, por fatkeqësisht ende nuk ka ardhur në rend dite.
“Kryetari i Parlamentit e ka anashkaluar këtë Ligj dhe na është thënë se arsyeja është që në koordinimin mes grupeve parlamentare nuk është arritur ende një marrëveshje përfundimtare”, tha Maja Moraçani, kryetare e DOM-it. Deputeti nga LSDM Jovan Mitrevski, thotë se në parim partia e tij nuk është kundër miratimit të këtij ligji por duhet të jemi të kujdesshëm që të mos shkelim obligimet e pranuara të shtetit në fushën e tregtisë ndërkombëtare.
“Ne ishim pro që ky Ligj të rregullohet dhe vullnetin tonë politik e treguam edhe me atë që propozimin e kolegeve nga DOM e vendosëm në rend dite, por na është thënë se është e mundur, nëse pranohen ndryshimet e propozuar ashtu siç janë propozuar, të krijohen probleme ligjore për shkak të obligimeve të pranuara të shtetit në fushën e tregtisë ndërkombëtare. Ne kemi kërkuar nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit Jetësor të shqyrtohet se çfarë pengesa do mund të dalin duke e pasur parasysh se Maqedonia e Veriut eksporton mbeturina. Sapo t’i marrin informatat e nevojshme, këtë pikë do ta vendosim në rend dite”, është shprehur ai.
Ndërkohë koordinator i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNEsë , Nikolla Micevski thotë se mosmiratimi i këtyre ndryshimeve ligjore, tregon se pushteti nuk është i interesuar sinqerisht që të përballet me problemet e ndotjes, ndërkaq nga atje thonë se janë pro ndryshimit të Ligjit dhe gjithashtu kanë dhënë mbështetje për ndryshimet ligjore.
“LSDM përpara tre viteve erdhi në pushtet me premtime të shumta se do ta përmirësojë ekologjinë, por e pamë që tema të tjera kanë qenë më të rëndësishme për LSDM-në se mbrojtja e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve tanë”, tha ai. Nisma Fridays For Future ka zhvilluar disa protesta dhe aktiviteteve për ngritjen e vetëdijes dhe për zgjidhjen e problemit për ndryshimet globale klimatike. (koha.mk)