Omer XHAFERI
Shkup, 20 qershor – Ligji i shumë-përfolur për mbrojtjen e fëmijëve i është rikthyer debatit publik. Kësaj radhe, zyra e Avokatit të Popullit, ka iniciuar ndryshime të dispozitave të këtij ligji, gjegjësisht pjesën procedural për realizimin e të drejtës së shtesës prindërore për fëmijën e tretë, shkruan gazeta KOHA. Pjesa kontestuese për të cilën Ombudsmani, Ixhet Memeti, kërkon nga Minisria e Punës dhe Politikës Sociale, që ta ndryshojë, është norma e cila thotë se në rast se nëna nuk i plotëson kushtet e parashikuara me ligj për realizimin e të drejtës së theksuar, atëherë këtë të drejtë nuk mund ta realizojë as prindi tjetër, babai.
“Zgjidhjet ekzistuese normative shkaktojnë pabarazi dhe pasiguri juridike, sepse këtë të drejtë mund ta realizojë vetëm nëna, por jo edhe babai. Nëpërmjet kësaj mënyrë të veprimit, ne vlerësojmë se dëmi bartët si në familje ashtu edhe të prindërit, gjegjësi forma aktuale e ligjit nuk mban llogari për qëllimin e dhënies së kompensimit të përmendur, përkatësisht përmirësimin e standardit jetësor të familjes, e cila e gëzon fëmijën e tretë”, thuhet në iniciativën e Ombudsmanit, e cila ditë më parë është parashtruar deri te MPPS-ja. Nga procedimi i lëndëve të kësaj natyre si dhe nga analiza e kornizës juridike, përcjell KOHA, zyra e Avokatit të Popullit në Shkup, ka konstatuar se në rastet ku fëmija i tretë ka lindur në një familje, kërkesën për shtesë prindërore për këtë fëmijë mund ta paraqes vetëm nëna, që nënkupton se prioritet i jepet vetëm njërit prind, përderisa babai vihet në pozitë ta pabarabartë dhe diskriminuese mbi baza të gjinisë, fakt ky i cili është i ndaluar me Kushtetutë dhe ligj. Duke i kundërshtuar normat e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, ombudsmani, në radhë të parë, e sheh si problematike nenin 38 të këtij ligji, i cili thotë se shtesën prindërore për fëmijën e tretë e realizon nëna, e cila e ka lindur të gjallë. Mes tjerash, paragrafi 1 i këtij neni, nënvizon dhe thotë se këtë të drejtë do ta realizon nëna, e cila tre vite e fundit para paraqitjes së kërkesë për shtesën prindërore, është shtetase e Maqedonisë me vendbanim të përhershëm në këtë shtet. Ndërkohë, shtesën prindërore familja apo nëna nuk do ta mund ta pranojë, nëse gjatë kohës së shtatëzanisë nuk ka kryer kontrolle shëndetësore (akusherike), respektivisht pas lindjes së fëmijë së tretë nuk e ka vaksinuar me kohë dhe nuk e ka regjistruar me kohë në shkollë.
“Ngurtësia e normës juridike, siç është neni 38 i Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, është në dëm të njërit prind, përkatësisht babait dhe nuk është në përputhje me dispozitat e Kushtetutës dhe Ligjit për mundësi të barabarta si dhe rregullat tjera me të cilat ndalohet diskriminimi midis gjinive. Në realitet, edhe Konventa për të drejtat e fëmijës, e merr në konsideratë parimin që të dy prindërit të kenë përgjegjësi të përbashkët gjatë rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve, me ç’rast interesat e fëmijës janë kujdesi themelor”, thonë nga Avokati i Popullit.
Ndryshe, krahas këtyre dispozitave të kontestuara, Avokati i Popullit, kërkon që Ligji për mbrojtjen e fëmijëve të ndryshohet edhe në pjesën ku shtesat prindërore i gëzojnë familjet me status social. Nga shqyrtimi i lëndëve dhe ankesave të pranuara, zyra e Ombudsmanit në Shkup, ka konstatuar se ky ligj është tepër diskriminues në rastin kur fëmija i tretë lind në një familje e cila e pranon ndihmën sociale, gjegjësisht nëse kjo familje dëshiron që ta pranojë shtesën prindërore, atëherë ligji e obligon që të heqë dorë nga ndihma sociale. Nga ana tjetër, persona të cilët janë në marrëdhënie punë, këtë të drejtë, pa problem e gëzojnë. Gjendja e këtillë faktike, tejet paradoksale, sipas Avokatit të Popullit, krijon përplasje mes dispozitave brenda Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve dhe në masë të madhe e shkel parimin e sigurimit të drejtësisë sociale, humanizmin dhe solidaritetin si vlerë e shoqërisë demokratike për të cilën pretendon se është shteti i Maqedonisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara