Në rastin tonë nevojitet një konsensus për zhvillimin e mëtejshëm të shtetit, por edhe miratimi dhe realizimi i një Strategjie ekonomike për zhvillimin e vendit në aspektin e zhvillimit të barabartë rajonal, migrimit dhe shpopullimit, uljes apo zbutjes së varfërisë, si dhe uljes së natalitetit dhe zbutjes së këtij problemi… Kjo do të sjellë standard më të mirë, paga për një jetesë me dinjitet, dhe një prosperitet më të madh për të gjithë
Fisnik PASHOLLI
Paga mesatare në muajin dhjetor të vitit të kaluar arriti në 28 mijë e 924 denarë ,apo afër 470 euro. Ajo e është rritur dukshëm në raport me 22.715 denarë sa ishte në dhjetor të vitit 2015, apo është rritur për gati 100 euro për pesë vite. Dhe nuk ka njeri që nuk e gëzon një rritje e tillë, mirëpo në kohën kur po mbesin pa punë me dhjetëra e dhjetëra mijë punëtorë, kur vetëm gjatë vajtjes në një sportel për të paguar energjinë elektrike mund të dëgjohen ankesa të mëdha për pamundësinë e pagesës së rregullt të faturave të rrymës, për nervozizmin e qytetarëve me faturat e larta , për mundësinë e vakët që të paguhen edhe borxhet e mbetura të rrymës dhe ujit, në një kohë kur po shënohet edhe ulje e madhe e konsumit, një shifër e tillë flet për një statistikë që nuk zbardh realitetin e të ardhurave mujore reale në vend. Për një realitet ku përkundër rritjes së pagave si statistikë, megjithatë një rritje e tillë nuk vlen për pjesën më të madhe të të punësuarve dhe kemi dallime të mëdha në paga në veprimtari të ndryshme, kur kemi paga të mëdha në ndërmarrje të ndryshme publike ku edhe të punësuarit me shkollë të mesme kanë privilegj të paguhen më shumë se të punësuarit në sektorët e tjerë publik me fakultete. Kur kemi një situatë që me një mijë denarë para pesë vitesh kemi mundur të blejmë më shumë gjësende për në shtëpi se tani, kur kemi një situatë të inflacionit të fshehur , kur çmimet në rritje në vitet e fundit e humbin vleftën të valutës vendore, por edhe të kursimeve të ndryshme.
Secili prej nesh e ndjen se sa janë shtrenjtuar gjërat e ndryshme në dyqan , se sa është rritur kostoja e jetesës, transportit… Thënë ndryshe, shumicës së të punësuarve po i ndodh që çmimet po gërryejnë pagat, ku nuk kemi paga evropiane, por kemi çmime evropiane , ku kemi rastin që çmimet e prodhimeve dhe shërbimeve të ndryshme në Shkup dhe Vjenë apo Berlin jo që shpesh janë të njëjta, por në Shkup ndodh që janë edhe më të shtrenjta se në perëndim.
Statistika po na tregon se një pjesë e madhe e të punësuarve pranojnë të ardhura mujore më të ulëta se mesatarja në shtet, ndërsa një pjesë më e vogël me të ardhurat e tyre e rrisin mesataren në nivel shteti.
Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë pritur që me avancimin e rrugëtimit euroatlantik të tyre, me afrimin në rrugën e tyre evropiane që edhe pagat e tyre ti afrohen Evropës, mirëpo po ndodh diçka tjetër, në vend që pagat të barazohen dhe përafrohen, po ndodh që çmimet po arrijnë nivele evropiane, për çka janë dëshmitarë edhe qytetarët tanë që vizitojnë familjarët e tyre në perëndim.
Në Maqedoninë e Veriut dhe rajon, ardhmëria është vështirë e parashikueshme. Edhe pse rrugëtimi tonë për në Evropë nuk do të ndalet me një tempo më të ngadalshme, të mesme apo më të madhe. Mirëpo në rrafshin ekonomik gjithçka mund të ndodhë. Ardhmëria jonë më e mirë ekonomike nuk varet vetëm prej nesh, dhe punëve që ne do ti kryejmë në të mirë të popullatës dhe biznesit, por edhe nga ecuritë dhe lëvizjeve në skenën ndërkombëtare. Kur flasim për politikat ekonomike në dekadat e kaluara, si shtet kemi shënuar rritje ekonomike prej disa për qind në mesatare në vit , të pamjaftueshme që të rrisim më shumë mirëqenien dhe pagat në përgjithësi, por edhe ato më të ulëta. Recetat për zhvillim të gjjthëmbarshëm ekonomik dihen, por megjithatë zhvillimi i çdo vendi është unik dhe i dallueshëm prej të tjerëve, për shkak të veçorive të shteteve të ndryshme. Në rastin tonë nevojitet një konsensus për zhvillimin e mëtejshëm të shtetit, por edhe miratimi dhe realizimi i një Strategjie ekonomike për zhvillimin e vendit në aspektin e zhvillimit të barabartë rajonal, migrimit dhe shpopullimit, uljes apo zbutjes së varfërisë, si dhe uljes së natalitetit dhe zbutjes së këtij problemi… Kjo do të sjellë standard më të mirë, paga për një jetesë me dinjitet, dhe një prosperitet më të madh për të gjithë. (koha.mk)