Vjollca SADIKU
Dibër, 7 prill – Specialistët e pediatrisë në Dibër, informojnë se nga viti në vit shtohet numri i fëmijëve me mbipeshë. Është një dukuri e cila drejtpërdrejt ndikon negativisht në shëndetin e tyre, shkruan gazeta KOHA. Mbipesha pastaj shkakton probleme të mëdha në shëndetin e fëmijëve jo vetëm në moshat e tyre të reja, por edhe gjatë viteve që ata rriten, thonë përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore.
Ka një rritje drastike te pesha e fëmijëve në Dibër dhe në vendbanimet rurale. Mbipesha te fëmijët është prezent dhe paraqet një shqetësim shëndetësor, thotë pediatri Ylber Kokale. Sipas tij, mbipesha tek vajzat fillon sidomos në moshat nga 10 deri në 12 vjet, kurse te meshkujt prej 15 apo 16 vjet. Duke marrë parasysh numrin e madh të fëmijëve me mbi peshë, ne si pediatër u sugjerojmë prindërve që të ndërmarrin aktivitete për tejkalimin e këtij problemi. Sipas pediatrit Kokale, si faktor kryesor të paraqitjes së mbipeshës janë përdorimi i tepruar i ushqimeve të shpejta, pijeve të gazuara, anashkalimi i aktiviteteve fizike dhe përdorimi i gjatë i pajisjeve teknologjike. Për fat të keq, sqaron pediatri, një numër i madh i nxënësve si në shkollat nëntëvjeçare, ashtu edhe në shkollat e mesme gjatë pushimeve në shkolla, përdorin ushqime të shpejta. Në këtë drejtim ai thotë se nxënësit shumë i përdorin sandviçët, hamburgerët, por edhe pijet e gazuara të cilët përmbajnë doza të mëdha të glukozës. Konsumimi në përgjithësi i kalorive të tepërta si me anë të pijeve energjike apo edhe i ushqimit të shpejtë, mund të sjell mbipeshë apo obezitet. Kjo sjell problem në të ardhmen me shfaqjen e diabetit “Tip 2”, i cili ende nuk është manifestuar në moshat fëmijërore dhe adoleshente në vendin tonë, por kjo paraqet rrezik në të ardhmen. Një gjë e tillë është duke ndodhur edhe ne vendet tjera në Evropë e më gjerë. Kur është në pyetje anashkalimi i lojërave të ndryshme në natyrë, pediatri Kokale thekson për KOHA se fëmijët duhet t’u kthehen lojërave tradicionale popullore. Dibra dhe rrethina në të kaluarën kanë pasur një numër të madhe të lojërave tradicionale, me të cilët janë marrë të gjitha grup-moshat deri në 20 vjet. Tani vërejmë se ka një pozivitet shumë të rëndë dhe të rrallë janë fëmijët që merren me këto lojëra popullore . Ushqimi jokualitativ që çon në mbipeshë, vlerësohet të jetë një nga shkaktarët kryesor të sëmundjes së diabetit te fëmijët. Mbipesha, potencohet se është një ndër shkaktarët kryesor se pse fëmijët preken nga diabeti. Për këtë shkak, ka edhe një rritje të fëmijëve me diabet, theksojnë specialistët e pediatrisë. Vendi dhe roli i prindërve dhe institucioneve shkollore duhet të jetë kryesor kur është në pyetje mbipesha te fëmijët. Prindërit e fëmijëve duhet t’u sugjerojnë fëmijëve të mos përdorin gjatë pushimeve ushqime të shpejta, të cilët, për fat të keq, aktualisht janë në trend dhe pas mësimit të insistojnë që fëmijët më shumë të merren me aktivitete fizike. Po ashtu edhe shkollat duhet të potencojnë sugjerimet në orët e mësimit. Duhet të frenohet kjo rritje e mbipeshës te fëmijët, thekson pediatri Ylber Kokale.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara