Avokati Raufi thotë se hise të madhe të fajit ka Prokuroria Speciale, e cila nuk ka arritur që në kohë të nxjerrë të gjitha dëshmitë që i akuzuari të përgjigjet para drejtësisë, në rastin konkret ish zyrtarë të lartë të shtetit. Profesor Maksuti deklaron se vjetrimi i lëndëve gjyqësore ndaj ish zyrtarëve të lartë të regjimit të kaluar është mbi gjitha rezultat i mospasjes së vullnetit të qeverisjes aktuale për përfundimin e lëndëve me qëllim taktizimi të interesave të saja politike
Xhenur ISENI
Shkup, 15 janar – Në shumë anketa vendore të realizuara vitet e fundit, del se qytetarët më së paku kanë besim në institucionet e drejtësisë, gjegjësisht në gjyqësorin e vendit. Edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare si vërejtje gjithmonë ka qenë drejtësia e brishtë në vend dhe reformat që duhet të ndërmerren si një ndër parakushtet për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Proceset e stërzgjatura gjyqësore që çojnë në vjetërsimin e lëndëve, sidomos ato të Prokurorisë Speciale, paraqesin një amnisti të heshtur për krimin në nivele të larta, theksojnë njohësit e çështjeve juridike. Rasti më i freskët ishte dje, pasi gjykata ka konstatuar se është vjetërsuar edhe një lëndë, ndërsa ka “shpëtuar” ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov . Ky i fundit nuk do të gjykohet për shkatërrimin e pajisjes për përgjime për shkak se vepra penale për të cilën ai akuzohej, u vjetërsua. Procesi gjyqësor “Fortesa – Shënjestra” që ka të bëjë me përgjimin e paligjshëm për periudhën 2008-2018 është në fund, ndërsa për shkak të vjetrimit të veprës, do të hiqet një nga veprat penale për të akuzuarin Mijallkov. Procesin e udhëheq gjyqtarja Xheneta Behtoviq, ndërsa përfaqësues të prokurorisë janë Lençe Risteska, Trajçe Pelivanov dhe Artan Ajro.
Naser Raufi, avokat, thotë se hise të madhe të fajit ka Prokuroria Speciale, e cila nuk ka arritur që në kohë të nxjerrë para gjykatës të gjitha dëshmitë që i akuzuari të përgjigjet para drejtësisë, në rastin konkret ish zyrtarë të lartë të shtetit. “Mundësia e vetme që të ndërkrehet veprimi i akuzës që është më shumë si problem i prokurorisë, jo i gjykatës, sepse prokuroria është ajo që akuzon dhe nuk duhet të lejojë të vjetrohet akuza dhe prokuroria nuk është e rregullt në seanca çdoherë dhe ashtu i prolongon seancat. Gjithashtu, është shumë e ngadalshme me prezantimin e provave dhe sipas meje, faji për vjetrimin e lëndëve është më shumë te prokuroria se sa te gjykata. Por edhe gjykata duhet të caktojë më shpesh dhe jo sikur deri më tani me një apo dy seanca në muaj, sidomos te lëndët kur afatet për vjetrim janë shumë të afërta dhe ku dënimet sillen me burg deri më 3 vjet, siç ishte rasti i fundit, ai Mijallkovit”, shprehet Raufi.
“AMNISTIA” ME VULLNET TË QEVERISË
Nga ana tjetër, profesori universitar, Mersim Maksuti ka deklaruar se vjetrimi i lëndëve gjyqësore ndaj ish zyrtarëve të lartë të regjimit të kaluar është mbi gjitha si rezultat i mospasjes së vullnetit të qeverisjes aktuale për përfundim të këtyre lëndëve me qëllim taktizimi të interesave të saja politike. Sipas tij, mjeti që do të ndikonte në mos vjetërsimin e lëndëve do të ishte digjitalizimi i gjyqësorit, sepse rrit efikasitetin e organit të drejtësisë. “Kjo frymë politike nuk ka paraqitur motivim dhe presion mbi organet e drejtësisë që të bënin punën e tyre ashtu siç i takon një shteti të së drejtës. Mos efikasiteti i prokurorisë, gjyqësorit si rezultat i kapjes dhe involvimit në korrupsion të një pjese të prokurorëve dhe gjykatësve, pra i jo pastërtisë së figurës së tyre, është kjo gjendje në të cilën jemi dhe dështimit të organeve kushtetuese, të cilët ushtrojnë kontrollin e përgjegjësisë dhe efikasitetit të tyre siç janë Këshilli gjyqësor dhe Këshilli prokurorial. Digjitalizimi i gjyqësorit në një shtet normal juridik sigurisht se rrit efikasitetin e punës së organeve të drejtësisë që ndikon dhe në mos vjetërsimin e lëndëve gjyqësore por nuk është faktor më tepër se ato që i përmendëm më lartë”, ka potencuar për KOHA, Mersim Maksuti.
I të njëjtit mendim është dhe profesori Bekim Fetai, i cili thotë se digjitalizimi – përveç se do ta pamundësonte vjetrimin e lëndëve, në të njëjtën kohë rrit edhe transparencën ndaj qytetarëve. “Jo vetëm që do të ishte mirë të digjitalizohet gjyqësori, por do të ndihmonte edhe në transparencën ndaj qytetarëve, dhe gjykatësit do të ishin në një situatë më të mirë që puna e tyre të jetë transparente ku qytetarët do të ishin më të informuar dhe do të kishin sqarime të duhura. Digjitalizimi definitivisht do ta pamundësonte vjetrimin e lëndëve për shkak se do të shtonte transparencën dhe keqpërdorimet e disa gjykatësve”, ka deklaruar për KOHA, Bekim Fetai, ekspert i shkencave kompjuterike. Ndërkaq, Këshilli gjyqësor para disa javëve miratoi Metodologjinë për vlerësimin e punës së gjykatësve në bazë të përmbushjes së kritereve kualitative për punën e gjykatësit dhe udhëzim për vlerësim për përmbushje të kriteriumeve kualitative për punën e gjykatësit, si dhe Metodologjinë për vlerësim kualitativ të kryetarëve të Gjykatave dhe udhëzim për vlerësim kualitativ të kryetarëve të gjykatave.
Siç është e publikuar në ueb faqen e Këshillit Gjyqësor, në seancën e mbajtur më 18 dhjetor, janë miratuar edhe Udhëzimi për mënyrën e vlerësimit të orëve efektive të punës, Programi për punë të Këshillit gjyqësorë për vitin 2021, si dhe plani intern për ndjekje dhe vlerësim të punës në gjykata, gjykatësit dhe kryetarët e gjykatave për periudhën prej 01.01.2021 deri më 31.12.2021. Në këto vlerësim të punës së gjykatësve, gjegjësisht gjyqësorit, do të filtrohen edhe prolongimet e pajustifikueshme të seancave gjyqësore. Por, avokati Naser Raufi nuk beson fare se Metodologjia e re do të sjellë rezultate të frytshme sa i përket drejtësisë. Ai shprehet se Qeveria e tanishme, ashtu sikur edhe Qeveritë e kaluara, nuk do të mund të heqë dorë nga proceset gjyqësore në interes të tyre. “Edhe këtu i kemi të gjitha kuadrat politike partiake dhe nuk mund të ketë ndonjë pastrim pasi edhe këto do të jenë pastrime partiake siç kanë ndodhur deri më tani. Nuk kam parë rast që dikush që është në qeveri, ka problem prej gjykatësve dhe dihet që anëtarët e Këshillit Gjyqësor janë nga partitë politike, posaçërisht partia që në Qeveri ka shumicën siç ndodhi edhe tani, që Qeveria të mund të ketë opsionin të bëjë presion te gjykata, sepse Këshillit Gjyqësor shkarkon gjykatësit”, deklaron Raufi.
Ndërsa sipas ministrit Bojan Mariçiq, pikërisht procesi i filtrimit të gjyqësorit dhe prokurorisë do të rikthejë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë në vend. Ai paralajmëron se do të filtrohen dhe hetohen shtyrjet e pajustifikuara të seancave gjyqësore, ku shumica prej tyre mbeten pa epilog sepse disa nga këto lëndë në fund po vjetërsohen. “Është e rëndësishme të përmendet se Këshilli Gjyqësor është institucioni që do të zbatojë filtrimin në gjyqësor. Ne jemi dëshmitarë të vonesave të shpeshta të seancave gjyqësore, veçanërisht të atyre për nivele të larta të korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe publiku po reagon ndaj kësaj. Qëllimi i filtrimit është të bëjë një rishikim të thellë të punës së gjyqtarëve në disa aspekte, përfshirë shtyrjen e pajustifikuar të seancave. Mosrespektimi ose shkelja e seancave ligjore, shkelja e afatit për ndjekje penale, dmth ekzekutimi i sanksioneve në çështjet penale, të gjitha këto do të kontrollohen”, tha Mariçiç. Ndryshe, kryeministri Zoran Zaev në pres konferencë javë më parë, duke promovuar 10 prioritetet e Qeverisë për vitin 2021 në planin “Aksioni 21”, si të parin në listë e potencoi pastrimin dhe filtrimin e gjyqësorit.
MUSTAFA: KONTROLL PËR LËNDËT QË VJETROHEN
Anëtari i Këshillit Gjyqësorë Milazim Mustafa ka theksuar se Këshilli Gjyqësor ka bërë kontrolle për lëndët që po zvarriten me vite. Ai paralajmëroi dhe kontrolle të tjera dhe nëse vërehet se lëndët janë vjetërsuar qëllimisht nga ndonjë gjykatës, ndaj tij do të ngritet procedurë disiplinore për shkarkim.
“Sa i përket vjetrimit të lëndëve, ne kemi pasur kontrolle në të gjitha gjykatat dhe mes tjerash theks i veçantë është vendosë në lëndët e parashkruara dhe në lëndët që zvarriten më shumë se tre vite. Në bazë të atij kontrolli, për secilën gjykatë kemi evidencë se cilat lëndë penale janë të parashtruara dhe në inspektimet e ardhshme të gjykatave, do të bëhet kontroll të po atyre lëndëve që të vërehen arsyet se pse ka ardhur deri te parashikimi apo vjetrimi i atyre lëndëve, dhe nëse vërehet se ka lëshim të qëllimshëm të gjykatësit, ndaj të njëjtit do të ngritet procedurë disiplinore për shkarkim apo tjera të ngjashme”, ka deklaruar për KOHA, Milazim Mustafa, anëtar i Këshillit Gjyqësor. (koha.mk)