Shkup, 5 dhjetor – Tre nga katër të akuzuarit për rastin “Monstra” në shoqëri të avokatit të tyre Naser Raufi sot erdhën në Gjykatën Penale në Shkup që të paraqiten në pajtueshmëri me vendimin e Gjykatës Supreme. Pas paraqitjes, i akuzuari Haki Aziri deklaroi se nuk e kanë ndërmend të ikin askund, sepse presin që e vërteta të del në pah. “Ne nuk e kemi ndërmend të ikim askund. Do të paraqitemi me rregull ashtu siç e përcakton ligji”, tha Aziri. I pyetur se kur pritet të fillojë gjykimi i ri, tha se ai nuk e di dhe se pritet që atë ta përcaktojnë avokati dhe gjyqi. Ndryshe, të premten Gjykata Supreme vendosi të lirojë katër të akuzuarit për rastin “Monstra” dhe të njëjtit të qëndrojnë në paraburgim shtëpiak, si dhe të paraqiten dy herë në javë në gjykatën Penale. Të akuzuarit, katër nga gjashtë të akuzuar, në burg kanë qëndruar 5 vite e shtatë muaj. (koha.mk)