Të akuzuarit për gazin lotsjellës deklarohen të pafajshëm

20

Prishtinë, 14 prill – Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi e Besa Baftiu, janë deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në vitin 2016, në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Pasi aktakuza është konsideruar e lexuar, katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Aktakuzën nuk e ka kundërshtuar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se veprimet e tyre ishin politike, e kjo kriminale.

“E kuptoj aktakuzën dhe padyshim nuk e kundërshtoj si të tillë për faktin se 2015-2016 Kosova është përballur me dy projekte shumë të dhimbshme, ka qenë obligim i yni si deputet që të ndërmarrim veprime protestuese në mënyrë që zëri dhe argumentet tona politike që nuk dëgjoheshin të merren parasysh”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, qëllimi i tyre nuk ka qenë kriminal dhe se qëllimi ka qenë vetëm mbrojtja e territorit të shtetit.

Se veprimet e tij kanë qenë politike ka deklaruar edhe deputeti Pal Lekaj.

“Sa i përket veprimit tonë ka qenë veprim politik, i domosdoshëm sepse puna e deputetit dhe betimit i tij është për të mbrojtur territorin e Republikës së Kosovës dhe shtetin, prandaj veprimet e mija kanë qenë politike dhe nuk ndihem fajtor për veprimet”, ka thënë Pal Lekaj.

Fajësinë në këtë rast nuk e ka pranuar as ish-deputetja Kadaj-Bujupi, raporton “Betimi për Drejtësi.

“Të gjitha veprimet e mija kanë qenë publike për bindje dhe qëllime politike, pra ky ka qenë motivi asnjëherë nuk e kam mohuar veprimin, kanë qenë veprime të përsëritura në sallën e Kuvendit në kuadër të mandatit të Deputetes. Për të gjitha veprimet e mia të cilat nuk i mohoj, nuk ndjehem fajtore”, ka deklaruar ish-deputetja Kadaj-Bujupi.

E pafajshme është deklaruar edhe ish-deputetja Baftiu.

“E ndjej veten të pafajshme duke pasur parasysh se ato kanë qenë veprime politike, ne kemi bërë veprime publike, prandaj veten e ndjej të pafajshëm pasi e përsëris se kanë qenë veprime politike”, ka deklaruar Baftiu.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku, njoftoi të akuzuarit se kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Por, pasi të akuzuarit kanë deklaruar se heqin dorë nga shqyrtimi i dytë dhe të vazhdojnë me shqyrtim gjyqësor, seanca e radhës pritet të mbahet me 18 maj 2021, ora 13:15.

Fillimisht, gjykatëse e këtij rasti ka qenë gjykatësja Naime Krasniqi – Jashanica, por pas kalimit të saj nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departament të Përgjithshëm, ky rast do të gjykohet nga gjykatësja Fatime Dermaku.

Për këtë rast gjashtë seanca ishin shtyrë, si ajo e 10 dhe 30 korrik, 2 dhe 15 shtator 2020, si dhe 16 mars e 1 prill 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur me 8 prill 2016, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit po dyshohet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së.