Shkup, 28 korrik – Hyrja ilegale në Maqedoni, sasia dhe llojllojshmëria e arsenalit luftarak, veprat penale në Gushincë dhe Lagjen e Trimave janë tregues të mjaftueshëm se 37 pjesëtarët e grupit të “Kumanovës” kanë kryer veprën penale “terrorizëm” dhe “organizatë terroriste”. Kështu tha prokurori publik Naum Panovski në fjalët përfundimtare në procesin gjyqësor për “Lagjen e Trimave” të premten para trupi gjykues, ku kërkoi që të akuzuarve t’ju shqiptohen dënime në bazë të normave dhe dispozitave ligjore, njofton gazeta KOHA. Për vepra penale “terrorizëm” dhe “organizatë terroriste” në Kodin Penal parashihen dënime deri me burg të përjetshëm, mirëpo për vendimin dhe lartësinë e dënimeve, prokurori Panovski tha se fjalën e fundit duhet ta ketë Trupi gjykues. “Në bazë të dëshmive verbale dhe materiale që i kemi publikuar brenda këtij procesi gjyqësor, është vërtetuar se të akuzuarit janë kryesues të veprës penale që ju ngarkohet. Ndërkohë, deklaratat e dhëna nga të akuzuarit nuk janë përputhur njëra me tjetrën, gjegjësisht të akuzuarit shpesh herë e kanë potencuar se mos implementimi i Marrëveshjes së Ohrit ka qenë shkaku se pse kanë hyrë të armatosur në Maqedoni, me qëllim mbajtjen e një konference për shtyp. Mirëpo, këtë tezë ata e kanë kundërshtuar me faktin se paraprakisht nuk kanë vendosur kontakte me përfaqësitë diplomatike në vend dhe partitë politike”, tha Panovski.