Siç po dëgjohet dhe shihet ashiqare, me ligjin bëhen pazarllëqe: siç bëhet me bagëtinë, ditën e martë në pazarin e Gostivarit. Kush ka ‘shushlupakët’ e blen, kush nuk i ka, shkon në burgun e Shutkës dhe i nënshtrohet ligjit! Kaq e thjeshtë është aritmetika e sistemit të drejtësisë në vendin tonë
Nga Shaqir ISLAMI
Kohët e fundit, jemi duke parë një dukuri sa qesharake, aq dhe e hidhur; e kam fjalën për impotencën dhe paaftësinë e sistemit të drejtësisë në zbatimin e ligjit në shtetin tonë. Kjo shtyllë është e treta me peshë e demokracisë së çdo shteti. Një ngrehinë mbi katër shtylla, rrezikon të rrënohet, nëse njëra syresh nuk mban fare peshën e duhur, ose nëse është e rrënuar si kjo e jona, atëherë ngrehina duket asimetrike. Prandaj, shteti ynë është sakat, apo më falni le ta përdorim sinonimin politik ‘shtet me nevoja të posaçme’, ose të shprehem me një çik humor, kemi një karikaturë-demokraci.
Siç e pranoi pjesërisht edhe vet Kryeministri Zaev, duhet të mendohet për një riparim, tash për tash, vetëm të sistemit të drejtësisë. Ai tha vetting, ndërsa unë jam i bindur se shtetit tonë i duhet një “remont gjithëpërfshirës”. Dhe kjo, jo për hir të Europës; por, për vet shëndetin e demokracisë së shtetit tonë. Shtet i sëmurë pjell demokraci të sëmurë! Ky fenomen është i moçëm; nuk është i sotëm! Ligji si dhe njeriu, janë dy elementët më të rëndësishëm të sistemit të çdo demokracie. Njeriu e pjell demokracinë; ndërsa ligji është roja dhe garanca e saj. Ky shtet u kurdis në nguti dhe në një kontekst hepten të zorshëm. Kjo drejtësi e shëmtuar dhe karikatureske është pasojë e planeve dhe koncepteve hileqare, e hartuar dhe sajuar nga një mendësi e sëmurë nacional-shovene. Dhe henës sot, aq shumë janë ngatërruar hesapet, dhe e ka kapluar harami sistemin e drejtësisë dhe vet shtetin, sa që ashiqare duket korrupsioni në vepër, dhe s’mund të fshihet më kjo dukuri e shëmtuar në zbatimin e ligjit brenda sistemit të drejtësisë. Pasi, aty ku nuk ka drejtësi për çdo qytetarë, aty nuk ka bereqet! Prandaj, nuk ka dhe investime; as të huaja, as vendase! Ligji është besimi në demokraci.
Metastazat e kanë kapluar çdo zyrë të sistemit të drejtësisë; çdo zyrë nisur nga roja e portës e deri në gjykatën kushtetuese është qelbur dhe kutërbon si kafshë e ngordhur e hedhur në “Zhenski Park” mu karshi Kuvendit, nga ku burojnë ligjet. Përderisa viktimat e shitblerjes së ligjit ishin shqiptarët me mbi nëntëdhjetë për qind, kjo gjendje e mjeruar e sistemit të drejtësisë tolerohej nga të gjithë dhe sekush bëhej sikur nuk sheh, nuk dëgjon, … dhe se kjo ishte e natyrshme, normale, dhe kjo ishte demokracia ‘a la Macedonia’, ose le ta themi sërish popullorçe “tavçe-gravçe demokracia”.
Është për të ardhur keq dhe sërish qesharake dhe burleske se si institucionet e drejtësisë e trajtojnë ligjin në këtë shtet. Ligji është mjeti më fitimprurës në Pazar; apo, ta them troç popullorçe (sërish), thjesht e kanë shndërruar në mall të tregut. Siç po dëgjohet dhe shihet ashiqare, me ligjin bëhen pazarllëqe: siç bëhet me bagëtinë, ditën e martë në pazarin e Gostivarit. Kush ka ‘shushlupakët’ e blen, kush nuk i ka, shkon në burgun e Shutkës dhe i nënshtrohet ligjit! Kaq e thjeshtë është aritmetika e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Eksperti gjerman Pribe, e vëzhgoi dhe e shqyrtoi gjendjen e sistemit të drejtësisë në vendin tonë; ai hartoi enkas një raport për gjendjen alarmuese të sëmundjes së rëndë të sistemit të drejtësisë në shtet, përmes të cilit na sugjeron një terapi urgjente për shërimin e saj. Allo, pa një drejtësi me terk europian, nuk mund të anëtarësohemi në shoqërinë e tyre. (koha.mk)