Tetovë, 18 tetor – Tatimet ekologjike jo gjithmonë përfundojnë për qëllime reale. Vetëm përmes projekteve mjedisore mund të ndikohet në pasojat e ndryshimeve klimatike që kohëve të fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në Maqedoni, por që janë shoqëruar edhe në njerëz viktima njerëzore, shkruan gazeta KOHA. Në Maqedoni ekzistojnë kompani që merren me biznese mjedisore, por një pjesë e madhe për të filluar një biznes të këtij lloji, ballafaqohen me procedura të ndërlikuara burokratike. Nga Organizata joqeveritare “Eko Svest”, thonë se duke mbledhur taksat mjedisore, mund të realizohet një numër i projekteve për mbrojtjen e mjedisit, por tatimet e tilla nuk përfundojnë gjithmonë për qëllime reale. Erozionet e dheut, përmbytjet, të gjitha këto janë rezultat i ndryshimeve klimatike.
“Pra, ne duhet të punojmë për mbrojtjen e mjedisit. Njerëzit duhet të ndryshojnë mënyrën e sjelljes së tyre natyrë. Duhet të lehtësohen procedura burokratike për marrjen e dokumenteve për fillimin e një biznesi mjedisor. Është gjithashtu e nevojshme dhe e rëndësishme për të kontrolluar se ku përfundojnë paratë nga taksat komunale. Ata shkojnë në buxhetin qendror dhe në vend që të sjellin projekte për mbrojtjen e mjedisit, ato mjete shpenzohen për disa qëllime të tjera, tha Ana Çoloviç Leshoska nga Shoqata joqeveritare “Eko Svest”. Ajo tha se është me rëndësi në përmirësimin e ambientit jetësor dhe të gjitha aktivitetet janë nga kjo sferë që të gjithë të njihen se për çka bëhet fjalë.
“Diskutimet në këtë temë, duhet të shkojnë në atë drejtim që qytetarët të kuptojnë se vërshimet dhe fatkeqësitë natyrore dhe dukuri tjera ndikojnë keq në natyrë sidomos mospërgjegjshmëria e njerëzve ndaj ambientit jetësor”, tha ajo.
Zëvendësministri i Ekologjisë, Jani Makraduli tha se qeveria e re po punon për rregullimin dhe shpenzimin, siç duhet të taksave mjedisore dhe gjithashtu janë thjeshtëzuar procedurat për marrjen e lejes për nisjen e bizneseve mjedisore, që nënkupton se tani procedurat për të ardhur deri te kjo leje janë më të lehta. Për shkak të ndryshimeve klimatike si dhe sjelljes së papërgjegjshme të njeriut dhe institucioneve me natyrën, për dy vjet në Maqedoni ndodhën tre përmbytje, një në Shkup dhe dy në Tetovë. Në këto përmbytje që u shoqëruan me rrëshqitje të tokës, dhjetëra njerëz u vranë dhe u shkaktuan dëme të mëdha. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, përmbytjet janë shkaktuar nga ndryshimet klimatike, faktori njeri, por edhe nga neglizhimi i institucioneve, të cilët në mënyrë të pamjaftueshme realizojnë projekte në fushën e mbrojtjes së mjedisit, të tilla si ripyllëzim të maleve dhe rregullimin e shtretërve të lumenjve. Megjithatë, ende nuk është bërë studim i mirëfilltë për këto katastrofa natyrore që ndodhën gjatë tre viteve të kaluara në Maqedoni, me theks të veçantë në Maqedoninë Perëndimore. Nga ana tjetër, vendbanimet e prekura nga vërshimet e vitit 2015 në Tetovë ende po ndjejnë pasojat dhe shumë ngadalë po i kthehen normalitetit. (koha.mk)