Tatimi mbi të ardhurat në paga në Ballkan lëviz prej 9 për qind në Mal të Zi deri më 45 për qind në Greqi dhe Rumani, ndërsa tatim-fitim në rajon lëviz prej 5 për qind në Shqipëri deri më 29 për qind në Greqi dhe Rumani. Nga ana tjetër, shkalla e mesatare e Tatimit të Vlerës së Shtuar në vitin 2017 për Ballkanin vijon të jetë 20 për qind
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 13 nëntor – Pas Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Serbisë, që zbatojnë tatimin progresiv në të ardhura, edhe Maqedonia prej vitit të ardhshëm do të zbatojë dy nivele tatimore. Kjo do të thotë se deri në 90.000 denarë të ardhura, tatimi mbetet 10 për qind, ndërsa për pjesën që tejkalon 90.000 denarë, do të paguhet edhe 8 për qind shtesë, shkruan gazeta KOHA.
Nga ana tjetër, shtetet e Ballkanit kanë shkallë të ndryshme të tatimit në të ardhura, tatimin në të ardhura të korporatave dhe TVSH-në. Tatimi mbi të ardhurat në paga në Ballkan lëviz prej 9 për qind në Mal të Zi deri më 45 për qind në Greqi dhe Rumani, ndërsa tatim-fitimi në rajon lëviz prej 5 për qind në Shqipëri deri më 29 për qind në Greqi dhe Rumani.
Nga ana tjetër, shkalla e mesatare e Tatimit të Vlerës së Shtuar në vitin 2017 për Ballkanin vijon të jetë 20 për qind, tregon analiza e barrës tatimore për vitin 2018 për vendet e rajonit ballkanik e Shoqatës Shqiptare të Tatimeve.
Normat tatimore për tatimin mbi të ardhurat individuale apo paga në nivele mbi mesataren e Ballkanit për nivelet e larta të pagave në Greqi (45 për qind), Kroaci (40 për qind) dhe Serbi (25 për qind). Në nivele nën mesatare për nivelet e ulëta të pagave në Kroaci (12 për qind), në Malin e Zi (9 për qind), në Shqipëri (13 për qind), dhe në Serbi (10 për qind). Aktualisht, tatimin progresiv për pagat (të ardhurat individuale) e zbatojnë Kroacia (dy shkallë tatimore), Mali i Zi (dy nivele tatimore), Shqipëria (dy nivele tatimore) dhe Serbia (dy nivele tatimore).
Nga ana tjetër, shkallët mesatare të kontributeve shëndetësore dhe pensionale së bashku në Ballkan për vitin 2018 ishin 31.8 për qind. Poshtë kësaj norme mesatare renditen tre shtete si Maqedonia me 27 për qind, Kosova me 10 për qind dhe Shqipëria me 27.9 për qind. Mbi këtë normë mesatare renditet edhe Kroacia (37.2 për qind), Mali i Zi (34.3 për qind), Bosnjë e Hercegovina (41.5 për qind), Bullgaria (32.8 për qind), Serbia (37.8 për qind), Rumania (37.25 për qind), dhe Greqia (41.06 për qind). Norma standarde mesatare e TVSH-së në vitin 2017 për Ballkanin vijon të jetë 20 për qind.
Njëherazi, të gjithë vendet e tjera të Ballkanit, përveç Bosnjë-Hercegovinës aplikojnë edhe norma të reduktuara të TVSH-së, kryesisht për konsumin jetik si shëndetësi, furnizimin e popullatës me energji, transport urban, si dhe për edukimin, librat, revistat dhe veprimtari kulturore apo sportive. Nga shikimi i ndryshimeve ligjore për TVSH-në, për secilin vend ballkanik, vërehet se Kroacia, Greqia prej janarit 2018 edhe Mali i Zi tani zbatojnë norma tatimore standarde mbi mesataren e rajonit. Kosova ka filluar të zbatojë një normë të reduktuar të TVSH, në fund të vitit 2015, si dhe ka rritur normën standarde me 2 për qind, për qëllime të ruajtjes së stabilitetit fiskal të buxhetit. Mali i Zi dhe Serbia miratuan në 2016 normë të reduktuar të TVSH-së, respektivisht 7 për qind dhe 10 për qind. Ndërkohë, Mali i Zi prej janarit 2018 ka rritur normën standarde me 2 për qind më shumë nga sa e kishte më përpara. Greqia miratoi në vitin 2016 rritje të normës standarde të TVSH-së me 1 për qind, duke u renditur si vendi i dytë me normën standarde të TVSH-së më të lartë në Ballkan, pas Kroacisë.
Shqipëria, Bullgaria dhe Serbia zbatojnë pre disa vitesh një normë standarde mesatare të TVSH në nivelin 20 për qind .
Analiza e Ligjit për tatimin mbi fitimin (korporativ) ndërkohë tregon se Greqia, Kroacia, Shqipëria, Serbia dhe Rumania zbatojnë norma tatimore mbi mesataren e rajonit. Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina zbatojnë norma tatimore nën mesatare e rajonit, raporton KOHA. Normën më të lartë të tatimit mbi fitimin e mbajnë Rumania dhe Greqia me nivelin 29 për qind mbi fitimin tregtar. Normën më të ulët vijon ta mbajë Mali i Zi me nivelin e 9 për qind të fitimit tregtar. Shqipëria ruan një normë tatimore që është sa mesatarja e rajonit. Norma e ulët tatimore prej 10 për qind të fitimit tregtar zbatohet në Maqedoni, Kosovë , Bosnjë dhe Bullgari. Në vitin 2017, në Shqipëri u fut një normë e reduktuar e tatimit mbi fitimin me 5 për qind për personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet për prodhimin apo zhvillimin e softuerit.
Ndryshe, ekonomistët vlerësojnë se në Maqedoni, në vitet e ardhshme do të mungojë hapësira për zvogëlimin e barrës fiskale për biznesin dhe qytetarët, për shkak të vështirësive me mbushjen e buxhetit dhe borxheve dhe kamatave që duhet të kthejë në periudhën e ardhshme disavjeçare. (koha.mk)