Shkup, 8 mars – Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia kanë rënë dakord të ngrejnë një Task Forcë Mjekësore. Ajo do të jetë një njësi mjekësore shumëkombëshe, e dislokueshme, që do të mbështesë operacionet për të përballuar fatkeqësitë natyrore apo kriza me karakter human, në nivel rajonal.
Marrëveshja mes gjashtë vendeve të Ballkanit për të ngritur një Task Force Mjekësore është e para e këtij lloji. Kriza e azilkërkuesve në vitet e fundit , që arrinin në vendet e BE duke kaluar në vendet e Ballkanit Perëndimor tregoi domosdoshmërinë e koordinimit dhe bashkëpunimit rajonal edhe në fushën e mjekësisë. Sipas FRONTEX në vitin 2016 rreth 123,000 refugjatë kaluan përmes Ballkanit Perëndimor dhe arritën në vendet e BE-së.
Numri i refugjatëve që humbën jetën në përpjekje për të arritur BE u rrit ndjeshëm në vitin 2016. Marrëveshja synon të parandalojë episode të tilla, të ndodhura në kulmin e krizës së refugjatëve, në periudhën 2015-2016. Për këtë qëllim pritet të ngrihen ekipe të reagimit të shpejtë për të ndihmuar për situata të vështira në rajon, lehtësuar fatkeqësi natyrore apo kriza humanitare.
Marrëveshja ka marrë formën e një projektligji mes qeverive të gjashtë vendeve ballkanike, të cilin duhet ta ratifikojnë parlamentet përkatëse me shumicë të cilësuar ose ndryshe me 3/5 e deputetëve. Ideja e një marrëveshjeje të tillë rajonale e ka fillesën në vitin 2015, kur kriza e refugjatëve arriti kulmin e saj. Ngritja e Task Forcës mjekësore rajonale ka kosto të konsiderueshme financiare dhe logjistike, të cilat Shqipëria këtë vit është e gatshme t’i përballojë.