Pa Qenan Hasanin, Qyteti i Alfabetit do të duket më i shkretë, kurse mirënjohja më e madhe që do të mund t’i bëhej atij, do të ishte sendërtimi i disa prej mesazheve që përcillte gazetaria e tij e guximshme, të përmbledhura në një emërues të përbashkët: ruajtja e vazhdimësisë historike, kulturore e arsimore të këtij qyteti përmes projekteve konkrete që do të ishin në frymën e bashkimit gjuhësor të shqiptarëve. Këtë e kanë detyrim ata që drejtojnë institucione në Shkup e Tiranë
Nga Emin AZEMI
Mëngjesin e sotëm e filluam me një lajm të hidhur, më të pazakontë, dhe nuk e kishim ditur që pikërisht dje do të bëhet vet lajm Qenan Hasani. Ai nuk jeton më. Sa vështirë të shkruash për një koleg që e ke njohur me vite. Një koleg me të cilin ke punuar në ditët më dramatike të gazetarisë.
Qenanin e kisha njohur, fillimisht, (në vitet 92-95) sa isha pjesë e gazetës “Flaka”. Shkrimet nga Manastiri i dërgonte me faks, herë të shkruar me dorë, herë më makinë shkrimi. Ndodhte që të raportonte edhe me telefon. Të gjithë ne që kemi punuar në fillim me Qenanin, i kishim parasysh vështirësitë e tija për të shprehur shqip gjithë atë kronikë të gjatë ngjarjesh nga Manastiri. Por, ai shumë shpejt arriti në përsosjen gjuhësore, duke u bërë, kështu, një skalitës i zellshëm i gjuhës shqipe, sepse, siç e thoshte edhe ai vet, nuk ia lejonte vetes të mos e bënte këtë për vet faktin se vinte nga në qytet që ishte sinonim i bashkimit gjuhësor të shqiptarëve.
Barra e të qenit banor i këtij qyteti, e vinte Qenan Hasanin edhe më shumë para përgjegjësisë për mënyrën e punës që bënte, kurse këtë u mundua ta mbaj si lajtmotiv i gjithë karrierës së tij gazetareske, për aq sa shkroi dhe raportoi për mediat në Maqedoni dhe jashtë saj. Ai kishte bashkëpunuar edhe me “Rilindjen” e Prishtinës dhe fakti që kishim shumë miq e kolegë të përbashkët, na bënte disi më të afërt me njëri tjetrin.
Pastaj erdhi viti 2001 dhe atë e gjen korrespodent të “Faktit” nga Manastiri. Ai ishte burimi i vetëm i ndodhive që u rrokullisën në këtë qytet, bashkë me fatet e dhjetëra shqiptarëve të cilët mezi shpëtuan nga flakët e shtëpive të djegura e shkatërruara. Zëri ynë i vetëm në Manastir atëbotë e kishte një emër, kurse Qenan Hasani, ndoshta pavetëdijshëm por shumë i vendosur, do të hynte më vonë në analet e mbamendjes sonë kolektive, e cila siç e dimë u sistemua në disa libra me materiale e kronika nga ky qytet i dhembjes e krenarisë.
Nëse do të shkruhej ndonjë herë historia e gazetarisë shqipe në Maqedoni, Qenan Hasani pa dyshim do të duhej të veçohej për dy karakteristika emblematike: e para, punën e gazetarit e bënte duke qenë edhe një mbrojtës fanatik i autoktonisë shqiptare në këtë trevë, dhe e dyta, të gjitha shkrimet e Qenan Hasanit sillnin për publikun e gjerë klithjen e intelektualit të brengosur për gjendjen e një hapësire kombëtare që nga viti në vit shkonte duke e zbehur shkëlqimin që e kishte pasur atëherë kur mbante epitetin “qyteti i konsujve”.
Të shkruash për Qenan Hasanin, do të thotë të shkëpusësh diçka edhe nga jeta jote, për të rikomponuar një radiografi sa shpirtërore, po aq edhe miqësore, sa profesionale, po aq edhe njerëzore. Por, ai do të na ngel edhe peng për pamjaftueshmërinë e takimeve më të shpeshta me të, sepse sikur nuk mjaftonin vetëm telefonatat e rralla që i bënim në tre, katër muaj. Zatën në njërën prej atyre telefonatave të fundit para jo më shumë se dy muajve, me Qenanin e lamë të shihemi në qytetin e tij, për të cilin ai aq shumë sakrifikoi. Mirëpo, nuk e paskam ditur se ai do të jetë komunikimi im i fundit me të. Nuk e paskam ditur se mostakimi me të një ditë do të më shndërrohet në dhembje për mikun dhe kolegun Qenan Hasani dhe bashkë me të, edhe ndjenja se njerëzit do të duhej të vlerësohen e çmohen shumë më shumë në të gjallë të tyre.
Edhe Manastiri, me sokaqet me kalldrëm dhe me shtëpitë e vjetra e të bukura, do ta ndiej tash e tutje mungesën e hapave të tij të vegjël, por nuk do ta harroj vrapin e tij për të nxjerrë këtë qytet nga gjëma e harresës.
Pa Qenan Hasanin, Qyteti i Alfabetit do të duket më i shkretë, kurse mirënjohja më e madhe që do të mund t’i bëhej atij, do të ishte sendërtimi i disa prej mesazheve që përcillte gazetaria e tij e guximshme, të përmbledhura në një emërues të përbashkët: ruajtja e vazhdimësisë historike, kulturore e arsimore të këtij qyteti përmes projekteve konkrete që do të ishin në frymën e bashkimit gjuhësor të shqiptarëve. Këtë e kanë detyrim ata që drejtojnë institucione në Shkup e Tiranë. (koha.mk)