Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 gusht – Pas anulimit të tarifës së lirë të rrymës në muajin gusht të vitit 2012 përgjatë tërë javës, pritet që në muajin tetor të këtij viti sërish të rikthehet tarifa e volitshme e shfrytëzimit të energjisë elektrike, shkruan gazeta KOHA. Aktualisht, tarifa e rrymës së lirë shfrytëzohet prej orës 22 të natës deri më 7 të mëngjesit në ditët e punës, përfshi edhe ditën e shtunë si dhe tërë ditën e diel, ndërsa nga muajit tetor ajo pritet të jetë në dispozicion edhe dy orë në ditë përgjatë tërë javës.
Fillimisht vendosja e saj është kundërshtuar nga Bashkësia Evropiane e Energjetikës, por nga Qeveria thonë se janë harmonizuar qëndrimet me këtë organ të rëndësishëm evropian dhe se rryma e lirë do të mund të shfrytëzohet deri në momentin e hyrjes së Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Burime qeveritare bëjnë të ditur se humbjet eventuale të shkaktuara nga vendosja e tarifës së lirë ditore të energjisë elektrike, do të mbulohen përmes shkurtimit të harxhimeve joproduktive të kompanive shtetërore të prodhimit të energjisë elektrike, sidomos nga puna e Elektranave të Maqedonisë – ELEM, që prodhon rrymë nga impianti kryesor, ai i Termocentralit të Manastirit që jep më shumë se 80 për qind të prodhimit vendore të rrymë, si dhe më pak nga hidrocentralet në pronësi shtetërore për prodhimin e energjisë elektrike. Do të shfrytëzohen edhe uljet e humbjeve të kompanisë tjetër MEPSO, apo operatorit për përçimin e rrymës në favor të rikthimit të tarifës së lirë të rrymës.
Nga Komisioni Rregullator i Energjetikës thonë se në rrjedhë e sipër është përgatitja e analizës për vendosjen e sërishme të tarifës së lirë të rrymës dhe ndryshimin e sistemit tarifor për shitjen e energjisë elektrike ndaj amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël, si rekomandim i dhënë nga ana e qeverisë. Nga ekzekutivi i ri thonë se me vendosjen e tarifës së lirë të rrymës do të bëhet një hap i rëndësishëm ndaj përmirësimit të gjendjes ekonomike të qytetarëve dhe njëherazi do të nxitet edhe me puna me nikoqirllëk e ndërmarrjeve publike.
Merret vesh se për momentin nuk planifikohen subvencione për asnjë nga kompanitë energjetike përfshi edhe EVN si kompensim për vendosjen e tarifës së lirë të rrymës. Kohë më parë, Bashkësia Evropiane e Energjetikës i rekomandoi Maqedonisë që tarifën e lirë ta vendosë vetëm për kategoritë sociale në një kohëzgjatje prej dy vitesh. Megjithatë, nga Qeveria thonë se tani janë harmonizuar qëndrimet me Komunitetin energjetik lidhu me standardet evropiane, andaj pritet që rrymë të lirë të kemi deri në momentin e hyrjes së Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
Ekspertët e energjetikës shtojnë në kalkulimet për vendosjen e tarifës më të lirë edhe ditën duhet marrë parasysh se kemi edhe harxhues më të mëdhenj apo më të vegjël natën dhe ditën si dhe harxhues gjatë stinëve të verës dhe dimrit, që kompensohen midis tyre që në fund ndikon edhe në koston përfundimtare të rrymës. Gjithashtu duhet marrë parasysh se shtetet edhe këmbejnë rrymë për periudhën kur më së shumti ju nevojitet, siç është rasti me Greqinë ku si zakonisht nevojat e rritura për rrymë në sezonin turistik mbulohen edhe nga kapacitet e Maqedonisë, ndërsa Greqia na e kthen këtë rrymë gjatë sezonit të dimrit. Modele të tilla të këmbimit të rrymës ekzistojnë midis gati të gjitha shteteve në rajon edhe në varësi prej prodhimit të tyre të energjisë elektrike nga uji, qymyri apo nga burimet e tjera.
Në ndërkohë, Maqedonia për çdo vit paguan rrymë të shtrenjtë nga importi që të mbulojë nevojat për energjinë elektrike. Bilancet energjetike tregojnë se në vitet e kaluara në mesatare kemi siguruar rreth 60 për qind të energjisë nga prodhimi vendor, ndërsa rreth 40 për qind janë siguruar nga eksporti. Maqedonia gjithashtu me vite të tëra shumë pak investon më ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, andaj është e varur nga importi i energjisë elektrike, nga jashtë ku për çdo vit harxhohen së paku 100 milion euro. Më shumë se 40 vjet, prodhimi i energjisë elektrike në Maqedoni varet nga kapacitetet e vjetruara të Termocentralit të Manastirit. Kapacitetet e Termocentralit të Osllomejit nuk shfrytëzohen për shkak të mungesës së qymyrit cilësor, ndërsa ato të Negotinës për shkak se nuk shpaguhet prodhimi i rrymës nga mazuti si energjens. Pas ndërtimit të hidrocentralit Kozjak para më shumë se dhjetë viteve, kapaciteti i fundit energjetik që u lëshua në përdorim para dy vitesh ishte Parku i erës në Bogdanci ku u investuan 55 milion euro, por që siguron energji për vetëm 60 mijë amvisëri .
Ndryshe, amvisëritë në Maqedoni duhej që prej 1 janarit të vitit 2015 të zgjedhin se prej ku do të blejnë rrymë. Mirëpo, kjo është prolonguar të ndodhë prej 1 korrikut të vitit 2020. Qeveria e Republikës së Maqedonisë në tetor të vitit 2014, e anuloi liberalizimin e tregut energjetik për qytetarët, me arsyetimin e mbrojtjes së standardit jetësor të qytetarëve, për shkak se vlerësohet se një gjë e tillë do të shtrenjtojë rrymën për 20 për qind.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.