Tarifa 100% “falimenton” Serbinë dhe Bosnjen

Qëndrimet antagoniste kundrejt Kosovës, u kanë kushtuar Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës mbi 240 milionë euro në tregtinë dypalëshe, vetëm në një vit. Rënia e eskporteve serbe dhe boshnjake në Prishtinë janë pasojë e tarifës 100 për qind që vendi vendosi nëntorin e kaluar.

Rritja e tarifës doganore nga 10 në 100 për qind ka ulur maksimalisht eksportet e produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina drejt Kosovës.

Statistikat e Doganës së Kosovës tregojnë se masa ndëshkimore që Prishtina aplikon prej 21 nëntorit 2018 kanë bërë që në këtë gjashtëmujor të parë, importet nga Serbia të bien me 98 për qind nga viti në vit.

Beogradi eksportonte gati 211 milionë euro mallra në gjysmën e parë të vitit 2018, ndërsa një vit më pas kjo vlerë ka zbritur në vetëm 3,3 milionë euro.

Situatë e ngjashme paraqitet edhe me shtetin boshnjak, ku humbjet kanë arritur në nivelin 95 për qind, duke rënë nga 36 milionë euro në 1,6 milionë euro.

Qeveria e Kosovës është shprehur e vendosur që tarifat maksimaliste ndaj dy fqinjëve ballkanikë të mbeten në fuqi për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja zyrtare kundërshtojnë pavarësinë dhe aspiratat e saj integruese.

Ky pozicion vijon të mbahet pavarësisht presionit ndërkombëtar që t’i jepet përparësi dialogut Prishtinë-Beograd dhe jo vendimeve të njëanshme.

Këmbëngulja te tarifat por edhe te mosnjohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë në muajin qershor çoi drejt dështimit të samitit që ishte parashikuar të mbahej në Paris me ndërmjetësinë e Francës dhe Gjermanisë.

Beogradi është zotuar se nuk do të ketë ulet në tryezë me Prishtinën pa u hequr më parë barrierat tregtare, ndërsa ka paralajmëruar reciprocitet në të ardhmen e afërt.