“TARGET-FORTESA” – Mijallkov dënohet me 12 vite burg

45

Ish kreu i DSK-së Sasho Mijallkov shpallet fajtor për rastin “Target-Fortesa” që ka të bëje me përgjimin e paligjshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe dënohet me 12 vjet burg. Mijallkovit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ndërkohë ish ministrja e brendshme Gordana Jankullovska dënohet me 4 vjet burg.

Xhenur ISENI

Shkup, 26 shkurt – Ish kreu i DSK-së Sasho Mijallkov shpallet fajtor për rastin “Target-Fortesa” që ka të bëje me përgjimin e paligjshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe dënohet me 12 vjet burg. Mijallkovit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ndërkohë ish ministrja e brendshme Gordana Jankullovska dënohet me 4 vjet burg. Ndërsa të akuzuarit e tjerë Goran Grujevski me 15 vite burg, Toni Jakimovski, me 6 vite burg, Nikolla Boshkovski dënohet me 15 vite burg, Nadica Nikoliç me 3 vite burg, Vladimir Varelov  dënim me kusht, Marijan Shumilikovski dënohet 2 vjet me kusht, në rast se në 5 vitet e ardhshme nuk kryen vepër penale, Sillvana Zlatkova dënohet 2 vjet me kusht, në rast se në 5 vitet e ardhshme nuk kryen vepër penale, Valentina Simonovska dënohet 2 vjet me kusht, në rast se në 5 vitet e ardhshme nuk kryen vepër penale. Të akuzuarit kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve, raporton KOHA.

Gjykatësja Xheneta Begtoviq pasi shpalli aktgjykimin adresoi një porosi për gjithë opinionin por edhe funksionarët shtetërorë. Ajo tha se me këtë vendim gjykata vërteton se asnjë person nuk është mbi ligjin dhe se secili do të përgjigjet. Betgoviq tha se ky aktgjykim është porosi për çdo funksionarë që askush prej tyre të mos tenton të keqpërdorë pozitat zyrtare në dëm të shtetit dhe shoqërisë sepse nuk ka më drejtësi selektive.

“Të akuzuarit kanë treguar se janë mbi ligjin. Kur funksionarët i shkelin ligjet, paraqet lëkundje të themeleve të shteteve. Funksionarët totalisht e kanë shkatërruar besimin e opinionit në institucionet e shtetit. Ata duhet të kenë më shumë përgjegjësi, por të njëjtit kanë keqpërdorur pozitat e tyre. Gjykata vërteton se aktorët janë dënuar për gjithçka që kanë bërë. Nuk ka më drejtësi selektive, secili do të paraqitet para ligjit, përfshirë edhe funksionarët. Në këtë shoqëri patjetër duhet të sundon drejtësia. Ky aktgjykim adreson porosi që në të ardhmen asnjëherë asnjë funksionarë i qeverisë të mos tenton të bën një vepër të tillë dhe të keqpërdorë detyrat zyrtare”, ka theksuar pasi ka shpallur aktgjykimin, gjykatësja Xheneta Begtoviq.

Ndërsa, para se të shpallej aktgjykimi për lëndën “Target-Fortesa ajo tha se fillimisht opinioni do të njihet me një analizë rreth këtij rasti e më pas edhe me aktgjykimin.

“Një përgjim i këtillë është kryer në DSK, dhe jo rastësisht kjo lëndë quhet skandal i madh. Kjo lëndë është nga lëndët më të rëndësishme të ish PSP. Nga kjo lëndë kanë rrjedhur edhe shumë lëndë të tjera. Këshilli gjyqësor ka bërë përpjekje që ky raste të kryhet sa më shpejtë që është e mundur, madje dhe në kohë pandemie. Gjykata vlerëson se popullata duhet të njihet me analizën e këtij rasti, ndërsa më pas do të shqiptohet edhe aktvendimi për të akuzuarit”, tha gjykatësja Begtoviq që udhëhiqte rastin në fjalë.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për përgjim në DSK, në periudhën prej 2008 deri në 2015 në mënyrë të paligjshme janë përgjuar 4.286 numra të telefonit, për të cilët nuk ka pasur urdhër gjyqësor. Përgjimi në mënyrë direkte dhe indirekte ka përfshirë afro 20 mijë qytetarë.

Gjykimi për “Target-Fortesa”, filloi më 22 dhjetor të vitit 2017. Procesin e ka udhëhequr gjykatësja Xheneta Begtoviq, derisa përfaqësues të Prokurorisë janë Lençe Ristovska dhe Trajçe Pelivanov.