Ardhja e Luis Kamposit në rolin e drejtorit sportiv do të sillte automatikisht emërimin e Leonardo Zhardimit në krye të Milanit. Duke qenë se portugezi i Lilës nuk do të zbarkojë në “Casa Milan”, veniten kështu edhe shpresat e trajnerit për të punuar brenda mureve të qendrës stërvitore të “Milanellos”. Duke parë dështimin e këtij operacioni, Ivan Gazidhis ka nisur gjuetinë për një drejtor sportiv.
SHQIPTARI – Kandidatura e parë dhe më e mundshme në këto momente duket ajo që të çon tek Igli Tare. I shtyrë nga reduktimi i kompetencave, shqiptari mund të pranojë projektin kuqezi. Pengesa në këto momente ka pamjen e Klaudio Lotitos, i cili vështirë se do ta lejojë vartësin të largohet pa përfituar asgjë.
Së bashku me Taren te Milani do të ishte më i thjeshtë afrimi si trajner i Simone Inzagit, por vështirë se ky operacion do të mbyllet pa gjetur një rrugëzgjidhje për afrimin e ishsulmuesit të Kombëtares së Shqipërisë. Mediat italiane bëjnë të ditur se mund të jetë vetë Tare që të negociojë për largimin e tij, e më pas i emëruar në detyrën e re, të udhëheqë edhe bisedimet për trajnerin e ri të Milanit.
TRAJNERËT – Përveç drejtorit sportiv, te Milani kërkohet edhe një trajner. Një tjetër emër i përfolur është ai i Marko Xhampaolos. Aktualisht nën kontratë me Sampdorian, 51-vjeçari ka kërkuar garanci për përforcime nga presidenti Masimo Ferrero.
Një takim me palëve në ditët në vijim do të qartësojë edhe idetë e teknikut, i cili nëse nuk gjen konsensusin në Gjenovë, mund të vijojë karrierën te Milani. Pretendimet ekonomike, por sidomos aftësia për ta ndërthurur lojën me rezultatet, e bëjnë një emër të parapëlqyer në “Casa Milan”.
Me Xhampiero Gasperinin drejt Romës, në stolin bergamask duhej të ulej Eusebio Di Françesko. Ishtrajneri i Romës ka dhënë miratimin për stolin e Atalantës, sidomos sepse joshet edhe nga ideja për të luajtur në Ligën e Kampionëve.
Kompeticioni në fjalë nuk përfshihet në ofertën e Milanit, por megjithatë bëhet e ditur se Di Françesko nuk do të zbarkonte në Bergamo nëse kërkohet nga “Djalli”. Në fakt, ish-trajneri i Romës ishte i preferuari i Leonardos dhe nuk dihet sa do të ndikojë mungesa e brazilianit në afrimin e tij.