Gostivar, 8 nëntor – Për një vit ne kemi ndërmarrë hapa konkrete dhe serioze për zgjidhjen e problemit me qentë e endacakë, por ligjet dhe procedurat burokratike nuk na mundësuan efikasitet më të madh, tha kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari në konferencën për shtyp kushtuar ngjarjes tragjike në të cilën një nxënëse e shkollës së mesme e humbi jetën.
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, Taravari rreth masave që pushteti lokal i zbaton, theksoi se qasja drejt problemit ka qenë serioze dhe me aktivitete të planifikuara. Vitin e fundit, prej rrugëve të Gostivarit me dy ekipe shintere, janë vaksinuar mbi njëqind qen, ndërsa 50 janë sterilizuar.
Sipas tij, Komuna e Gostivarit para të tjerëve në vend në zgjidhjen e problemit, por siç tha, ligjet aktuale nuk japin mundësi për efikasitet më të madh.
“Situata është e tillë që është e pamundur që të zgjidhet një problem i tillë për një vit. Nga pushteti i kaluar trashëguam një furgon të prishur dhe një njeri dhe kaos nëpër rrugë. Në ndërkohë krijuam shërbim dhe dy ekipe, strehimore që para pesë muajve është kompletuar. Kjo është me njëzet boksa dhe kushte për pranimin e kafshëve. Nuk është në funksion, pasi procedurat janë të ngujuara në labirintet burokratike, në këshilla drejtues, komisione dhe nuk mund të marrim leje për punë”, tha Taravari.
Ai potencoi se si komunë është midis të rrallave, ndoshta edhe e vetmja që ka studim për arsyeshmëri për problemin dhe sa qen endacakë ka nëpër rrugë. Ajo ka treguar se i ka mbi 400. Në ndërkohë si masa afatgjata, vetëqeverisja lokale prej dy ekipeve të zakonshme, do t’i angazhojë edhe dy, por problemi është në vendosjen e tyre. Tani për tani në objektin i cili është paraparë për pranimin e qenve tani janë edhe qindra kafshë. Si problem kyç për trajtimin e kafshëve i theksoi rregullat ligjore aktuale. Por, siç nënvizoi, problemi nuk është as i pranishëm vetëm në Gostivar, por edhe në mbarë vendin dhe vlerëson se zgjidhja e vetme është qasja sistematike në nivel shtetëror.
Taravari e përshëndeti deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev në të cilën u paralajmëruan ndryshime të ligjeve aktuale, pasi janë shumë të komplikuara, ndërsa kryeministri paralajmëroi edhe rregullativë të re për funksionimin e qendrave shelter.
Kryetari i Komunës Taravari në konferencë shtypi edhe njëherë dërgoi apel me të cilin kërkon që ngjarja tragjike që para dy ditësh të mos shfrytëzohet për qërim hesapesh politike.
“Edhe krahas zemërimit të akumuluar unë dhe ekipi im nuk do të biem në nivel të fushatave mortore do të ruajmë respektin ndaj kujtimit të kësaj vajze dhe familjes Mexhiti. Më 5 nëntor, një vajzë e re ndërroi jetë. Një vajzë e cila nuk e di kurrë që me shuarjen e saj do të bëhej lojë politike dhe gur shahu. Sipas raportit të policisë është qartësuar qartë e saktë pse dhe si ka ndodhur fatkeqësia. Çdo gjë që buroi nga thashethemet që dolën më shpejt se vet lajmi i vdekjes, nuk është e vërtetë”, përfundoi Taravari dhe për më shumë informacione i bëri thirrje opinionit të drejtohet në polici dhe tek organet hetuese.
Konferenca për shtyp e kryetarit të Komunës së Gostivarit u konvokua me rastin e ngjarjes tragjike prej para dy ditësh. Një nxënëse e Shkollës së Mesme e cila duke u kthyer nga shkolla është sulmuar nga një qen dhe në tentimin për të shpëtuar, ka rënë në ujin e lumit Vardar dhe shpejtë është mbytur. Tragjedia akoma është aktuale në opinion dhe sipas komenteve kërkohet përgjegjësi dhe zgjidhje për problemin me qentë endacakë.