Shkup, 9 janar – Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka udhëtuar sot për vizitë zyrtare në Bruksel, njofton Koha.mk
Gjatë këtij qëndrimi dyditor, siç informojnë nga Aleanca për Shqiptarët, Taravari do të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian, si dhe me personalitete që e kanë mbështetur rrugëtimin e Republikës së Maqedonisë drejt integrimit në BE dhe në NATO.
Fokusi i programit të takimeve do të jetë rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, me theks të veçantë në ndryshimet kushtetuese dhe qëndrimet tanimë të njohura të Aleancës për Shqiptarët mbi nevojën e avancimit të pozitës kushtetuese të shqiptarëve, si faktor kyç për ndërtimin e një shoqërie multietnike, demokratike, dhe vërtetë evropiane.
Në Komision Evropian, Taravari do të zhvillojë takim me Johannes Han, Komisar evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim
si edhe me Deputetët evropianë, Flenkenshtajn, Kukan dhe Vajgëll, të cilët kanë qenë figurat kryesore të Parlamentit evropian në lidhje me zhvillimit politike në Maqedoni në legjislaturën aktuale të këtij institucioni dhe përkrahës të mëdhenj të evropianizimit të vendit, thuhet në kumtesën e ASH-së.
Në këtë vizitë, Taravari do të shoqërohet nga Arben Fetai, udhëheqës i Departamentit për Euro-Integrime pranë Aleancës për Shqiptarët. (Koha.mk)