Nuk kemi caktuar qëndrim për braktisje ose qëndrim në Qeveri, kjo fillimisht do të vendoset pasi që të analizohen rezultatet e fundit zgjedhore, theksoi Arben Taravari në konferencën e sotme për shtyp në Gostivar. Ai si sekretar i përgjithshëm i partisë Aleanca për Shqiptarët, në vlerësimin për rrjedhën e zgjedhjeve e kritikoi angazhimin e funksionarëve qeveritarë në fushatë në dobi të BDI-së.
“Tani për tani nuk dalim nga Qeveria. Pasojnë analiza në kryesinë e partisë dhe të shohim se nëse ka pasur keqpërdorime gjatë procesit zgjedhor, për shkak se ekzistojnë dyshime. Do të bisedojmë edhe me kryeministrin. Konsideroj se është skandaloze, që kryeministri, ministri i Punëve të Brendshme të jenë të angazhuar dhe të punojnë në dobi të BDI-së. Kjo është e palejueshme edhe me rekomandimet e Pribesë. Megjithatë dita e djeshme ishte përplot me një sërë parregullsi, ryshfete, presione dhe frikësime. Më vjen keq që edhe ministri Spasovski personalisht ka kryer presion. Më vjen keq edhe që një qeveri qëndron pas partisë e cila ka një të kaluar të keqe”, tha Taravari.
Ai konsideron se resori i shëndetësisë edhe më tej t’i mbetet Aleancës për Shqiptarët, por, vendimi përfundimtar do të merret pasi për këtë do të vendoset në parti. Taravari paralajmëroi revizion të punës financiare të komunës së Gostivarit dhe paraprijësi i tij, për shkak se siç tha, ekzistojnë indikacione për keqpërdorime serioze.
“Do të kërkojmë dokumente dhe do ta shohim gjendjen e saktë. Ndërsa më shpejt që mundet do të bëjmë riparim të çatisë së SHF ‘Goce Dellçev’. Së shpejti do të funksionojë edhe linja e hapur telefonike dhe kontakti përmes rrjetit social ‘Përshëndetje Taravari’ përmes të cilit qytetarët do t’i tregojnë problemet e tyre. E marta do të jetë ditë për takime të drejtpërdrejta të qytetarëve me kabinetin e kryetarit të komunës dhe shërbimet kompetente”, nënvizoi Taravari. Ai konfirmoi se do ta fitojë mbështetjen në këshillin e komunës dhe siç tha kjo do të jetë e lehtë, për shkak se tanimë janë bërë kontakte me partitë e tjera të cilët kanë anëtarë në përbërjen e re të këshillit të komunës.