Gostivar, 2 dhjetor – Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari pas vizitës në dy vend-ndërtimet në qytet, investuesve iu dha afat prej një jave të rrënohen ndërtimet të cilat janë jashtë miratimeve për ndërtim.
Taravari së bashku me udhëheqësit e sektorit për urbanizëm dhe inspektorët e autorizuar ndërtimor sot dolën në terren dhe prej së afërmi u njoftuan me rrjedhën e ndërtimit të ndërtesave kolektive. Pas kontrollit të bërë, u konstatua se në dy raste ka lëshime nga leja e ndërtimit dhe se ndërtimi po zhvillohet jashtë planeve të hollësishme urbanistike.
Kryetari i Komunës Taravari theksoi se nuk do të ndryshojë qëndrimit për të mos toleruar ndërtim “pa leje” dhe investuesve u dha afat prej shtatë ditëve t’i kthejnë objektet në pajtim me lejen për ndërtim.
“Kam cekur disa herë, toleranca për ndërtime ‘pa leje’ do të jetë zero. Sot zbuluam dy raste të ndërtimit jashtë lejes për ndërtim. Investuesit kanë afat prej një jave të t’i prishin ndërtimet pa leje dhe të vazhdojnë ta ndërtojnë objektin në pajtim me lejen ndërtimore. Në të kundërtën, ne do të veprojmë sipas kompetencave dhe obligimeve tona”, tha Taravari.
Nga Komuna e Gostivarit u bënë thirrje investuesve për që t’iu përmbahen rregullave, lejeve për ndërtim, rregullave dhe standardeve për ndërtim, ndërsa qytetarët inkurajohen të paraqesin tek organet kompetente raste të ndërtimeve pa leje.