Gostivar, 27 dhjetor – Në vigjilje të ndërrimit të motmoteve, kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, vizitoi fëmijët në Qendrën Ditore të Fëmijëve me Nevoja të Posaçme, me ç’rast u ndau atyre pako për Vitin e Ri.
“Është kënaqësi e veçantë që në vigjilje të Vitit të Ri, bashkë me bashkëpunëtorët e mi, të ndajmë disa çaste të lumtura me fëmijët dhe personat të cilët më së shumti dinë t’i gëzohen jetës, edhe pse përballen me sfida të shumta”, theksoi Taravari.
Krahas dhuratave që ua bëri Taravari fëmijëve në Qendrën Ditore, siç citojnë nga komuna e Gostivarit, ky institucion siguroi pako të Vitit të Ri edhe për rreth 300 fëmijë të tjerë.
“Sot ndamë pako të Vitit të Ri edhe në paralelet speciale në SHF Ismail Qemali dhe SHF M.K.Ataturk, si dhe në Shoqatën e personave me shikim të dëmtuar Realiteti dhe Shoqatën e shurdhmemecëve Qetësia. Në ditët në vijim do të ndajmë dhurata edhe për fëmijët romë dhe fëmijët nga familjet ekonomikisht të rrezikuara. Me ndarjen e këtyre pakove, dërgojmë një mesazh se për këta persona institucionet dhe shoqëria duhet të kenë një kujdes të veçantë”, theksoi Afërdita Hamza – përgjegjëse për çështje sociale pranë Komunës së Gostivarit.
Ndryshe, nesër në orën 13:00 në sheshin e qytetit në Gostivar do të mbahet program i pasur festiv për fëmijë, me ç’rast kryetari i komunës, Arben Taravari dhe anëtarët e Forumit Rinor të Komunës së Gostivarit, fëmijëve kalimtarë të rastit, do tu ndajnë edhe dhurata simbolike për Vitin e Ri.