Gostivar, 6 nëntor – Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari me rastin e ngjarjes tragjike në të cilën humbi jetën 17-të vjeçarja në ujërat e Vardarit, u prononcua në profilin e tij në Fejsbuk.
Në ngushëllimin e tij ai thekson se e ka të njohur këtë rast tragjik sepse në rrethana të njëjta kishte humbur një anëtar të familjes së ngushtë.
“Kur mora vesh lajmin për mbytjen e Xhehjes u trishtova shumë nga rasti e pak nga rikthimi i traumës sime familjare. Vajza thonë është mbytur duke tentuar që të shpëtojë nga një qen endacak. Sado që rasti ende nuk ka një version zyrtar jam i prirur t’i besoj. Gostivarasit nuk shpikin apo trillojnë sulme politike deri në këtë pikë”, theksohet në postimin e Taravarit.
Si kryetar i komunës ai ndjen përgjegjësi të plotë të sqarojë se problemin me qentë endacak e kishte trashëguar dhe se për këtë problem kishte pasur qasje serioze.
“Kemi grumbulluar sa kemi mundur duke tejkaluar edhe mundësitë strehuese, kemi operuar 50 prej tyre dhe kemi vaksinuar 100. Unë vet jam rreshtuar ekipit të veterinerëve për të ndihmuar sadopak në punën gjigante që kemi përpara. Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta ndaj familjes së vajzës si një vëlla që dje humbi motrën e tij për së dyti, do ju lutesha mos të hyjnë me drama politike ata që nuk e vrasin mendjen fare për dhimbjen e familjes apo atyre që kanë qenë të goditur nga fatkeqësi të tilla”, thekson Taravari.
Ai apelon që ta lënë ekipin për kujdes të qenve që të punojë pa presione dhe të mos shpikin rrëfime dramatike-politike.
“Nuk jam mësuar të mos mbaj përgjegjësi por matematikisht ekipi ynë ka bërë dhe po bën të pamundurën për të stabilizuar gjendjen në një vend ku gjetëm 1 qen për çdo një metër katror. Të dorëzohemi tregojmë përgjegjësi zero, të vazhdojmë të çojmë përpara betejën me qentë do të thotë që kemi fuqi e dinjitet.Beteja na mori një engjëll por zgjoi edhe 1000 herë më shumë motivin për të vazhduar aksionin tonë ndaj qenve endacakë!”…qëndron në postimin e tij në Fejsbuk të kryetarit të Gostivarit.