Tetovë, 13 shkurt – Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari ka paralajmëruar se në shenjë falënderimi ndaj banorëve të Llaskarcës po bëhen përpjekje që komuna të cilin e drejton ai të ndihmojë në ndërtimin e rrugës.
Me këtë rast është duke u zhvilluar Marshi Memorial për nder të viktimave dhe të lënduarve në tragjedinë e Llaskarcës, ku ata për momentin janë duke përshkuar rrugën Tetovë – Gostivar dhe pritet që rreth orës 17:00 të mbërrijnë në pagesën rrugore në Gostivar, njofton KOHA.
“Iniciativën me Bashkësisë Lokale e kemi dakorduar si mirënjohje ndaj fshatit për ndihmën e tyre të cilën e treguan kur ndodhi fatkeqësia. Vendimi ka qenë i përbashkët që të ndërtohet rrugë me bekatonë. Pasi nuk ka xhirollogari në emër të fshatit dhe Bashkësisë Lokale, 5 mijë eurot e parapara ende janë në buxhetin e Komunës së Gostivarit. Shpresojmë të gjejmë Organizatë joqeveritare nga Llaskarca që të lëshohen mjetet dhe të realizohet ideja”, ka thënë Taravari.
Njëherësh në të ardhmen bëhen përpjekje që çdo vit ky marsh të jetë tradicional dhe të kujtohen viktimat. Në grupin prej 60 vetave të cilët arritën deri në Tetovë ka pasur anëtarë të familjeve të viktimave dhe të lënduarve, rekreues dhe sportistë. Pjesëmarrësit kanë vazhduar me marshin, ndërsa pasdite do ta përfundojnë në Gostivar. (koha.mk)