Nga pushteti lokal në Gostivar thonë se investimet në infrastrukturë gjatë dy viteve të kaluara arrijnë vlerën rreth 6 milionë euro
Urim Hasipi
Gostivar, 13 tetor – Komuna e Gostivarit edhe pse është ballafaquar me shumë probleme financiare gjatë kohës së pandemisë, megjithatë nuk ka qëndruar këmbëkryq në aspektin e përmirësimit të infrastrukturës në qytetin e Gostivarit dhe vendbanimet tjera rurale. Si projekte më të rëndësishme që realizohen në këtë kohë është rrjeti i kanalizimit në fshatin Çegran dhe Çajle. Po ashtu është duke u bërë rikonstruimi i shkollës në fshatin Balindoll. Në ndërkohë, është duke u rregulluar ndriçimi publik në fshatin Tumçevisht. “Në kohë pandemie jemi duke punuar në përmirësimin e kushteve për qytetarët”, thotë mes tjerash kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
“Jemi duke i rregulluar ato rrugë që ishin pjesë e programit. Pothuajse në çdo vendbanim jemi duke ndërtuar parqe, promovuam parqe në Balindoll dhe Çajle të epërme, jemi duke punuar përskaj Lumit Vardar ku do të kemi njërin ndër parqet më të bukura në vend” shprehet Taravari.
Ai sërish është ankuar se pa asnjë mbështetje nga pushteti qendror janë duke punuar në shumë projekte infrastrukturore me mjete vetanake dhe fonde ndërkombëtare. “Trotuareve të dy rrugëve brenda në qytet po u vendosen pllaka të bekatonit, kurse në rrugën 104 është duke u rregulluar ndriçimi publik, ndërsa është bërë edhe rrjeti i kanalizimit në rrugën e Balindollit” tha kreu i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari. Nga pushteti lokal në Gostivar thonë se investimet në infrastrukturë gjatë dy viteve të kaluara arrijnë vlerën rreth 6 milionë euro. (koha.mk)