Gostivar, 16 janar – Vetëqeverisja lokale gjatë këtyre ditëve e bëri ndërrimin e kuadrove udhëheqës në shkolla. Tani për tani janë ndërruar drejtorët e shkollave fillore, ndërsa së shpejti do të emërohen edhe në shkollat e mesme komunale.
Nga shërbimi për informim në komunën e Gostivarit konfirmuan se prej kryetarit të Komunës, Arben Taravari, vendime për emërime kanë marrë drejtorët e rinj të dymbëdhjetë shkollave fillore.
“Procedura e emërimit të drejtorive të reja është nga fundi, ndërsa presim të përfundojë edhe ndërrimi i zëvendësdrejtorëve. Për ndërrimin në shkollat fillore e informuam edhe ministrinë resore prej ku morën mendim pozitiv. Të njëjtën e presim edhe për procedurën e emërimit të drejtorëve në shkollat e mesme”, theksojnë prej shërbimit për informim të Komunës së Gostivarit.
Ndërrimi i pozitave udhëheqëse në shkolla hasi në reagim prej partisë politike BDI. Ata në kumtesën e fundit theksojnë se Taravari e përsërit gabimin e njëjtë, ndërsa emërimi i drejtorëve të rinj bëhet në mënyrë të paligjshme.
“Pasi i janë kthyer kompetencat, Taravari i ktheu drejtorët të cilët e kryenin funksionin në kohën e Gruevskit. Përsëri emëroi drejtorë të cilët shquhen për ushtarë të tij partiakë pa u konsultuar paraprakisht me këshillat drejtues të shkollave. Mu për këtë i janë marrë kompetencat në arsim. Tani është duke e përsëritur gabimin dhe do të prezentohet si viktimë, ndërsa pushtetin do ta akuzojë për revanshizëm”, qëndron në reagimin e BDI-së.
Drejtpërdrejt pas zgjedhjeve lokale, kryetari aktual i ndryshoi organet drejtuese të shkollave dhe emëroi “u.d. detyre”. Në nëntor 2017 ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ia mori ingerencat kryetarit të komunës së Gostivarit dhe i ktheu në punë kuadrot e vjetra.
Ingerencat në pjesën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve në shkolla, pas nëntë muajsh përsëri i janë kthyer Komunës së Gostivarit. Ndërrimi i kuadrove udhëheqës bëhet me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë 2018/2019.