Laura PAPRANIKU
Shkup, 4 dhjetor – Arsimi i integruar nëpër shkolla nuk do të jetë i kufizuar edhe më tej vetëm në aktivitete shkollore jashtë mësimore, si ekskursione, vizita të përbashkëta muzeve apo institucioneve të tjera historike dhe kulturore, turnirëve sportive, mbrëmjeve të maturës, e kështu me radhë, shkruan gazeta KOHA. Për dallim prej këtyre praktikave, të cilat u shtrinë në harkun kohor prej një dekadë, tani e tutje shkollat do të jenë të obliguara të organizojnë edhe aktivitete mësimore multi-kulturore, respektivisht orë mësimi në dy apo më tepër gjuhë. Mësimi me paralele të përziera, në fakt është një formë e sofistikuar e ish-paraleleve të kombinuara, të njohura për famën e keqe në periudhën e viteve ’80-ta të ish-sistemit monist.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për këtë vit shkollor do të subvencionojë të gjitha ata shkolla që do të organizojnë me nxënës, të cilët mësojnë në gjuhë të ndryshme aktivitete të përbashkëta mësimore dhe jashtë mësimore, që shpijnë drejtë zhvillimit dhe avancimit të multik-ulturalizmit. Për kyçjen e shkollave fillore dhe të mesme në këtë frymë të re të arsimit të integruar MASH ka nxjerrë Thirrjen publike, përmes së cilës shkollat ftohen të konkurrojnë për përfitimin e granteve që ndahen për këtë qëllim. Shkollat që do të realizojnë aktivitete mësimore dhe jashtë mësimore multikulturore do të subvencionohen me nga 30.000 denarë. Për avancimin e arsimit të integruar, nga aktivitetet me karakter jashtë mësimore tani në aktivitete me karakter mësimore, dy vite më parë u bënë edhe ndryshimet në Ligjin për arsim fillor dhe në Ligjin për arsim të mesëm. Me ato ndryshime, shkollave u kërkohet të organizojnë aktivitete mësimore multi-kulturore qoftë në mënyrë të pavarur, qoftë edhe duke bashkëpunuar me shkollat më njëra tjetrën. Si në rastin e parë, kur mësimi multi-kulturor do të organizohet me paralelet e përziera nga vetë shkolla, si në rastin e dytë kur mësimi multi-kulturor, do të organizohet më nxënës të shkollave të ndryshme, është kusht që nxënësit të vijnë nga paralele që mësimin e rregullt e zhvillojnë në gjuhë të ndryshme nga njëri tjetri. E thënë ndryshe, nxënësit maqedonas dhe shqiptarë, duhet të zhvillojnë aktivitet mësimor të përbashkëta, gjegjësisht orë mësimi të përbashkëta. Pjesë e orëve të këtilla të mësimit, bashkë me shqiptarët dhe maqedonasit, mund të jenë edhe nxënësit e paraleleve turke (apo në arsimin fillor, edhe boshnjakët dhe serbët), nëse shkollat e shohin të arsyeshme një gjë të tillë. Mund që të bëhen edhe kombinime të tjera, për shembull, që turqit të mësojnë bashkë me boshnjakët, ose me maqedonasit apo serbët. Mjafton që të jenë të ndryshme gjuhët në të cilën figurojnë të regjistruara paralelet e shkollave që do të bëhen pjesë e grandeve për mësim të përbashkët multi-kulturor.
Në Thirrjen publike për ndarjen e mjeteve financiare për organizim të aktiviteteve që shpijnë në zhvillimin dhe avancimin e multi-kulturalizmit, integrimin ndëretnik dhe tolerancës, MASH, thirret në nenin 34, alineja 2 e Ligjit për arsim fillor dhe në nenin 24, alineja 2 e arsimit të mesëm, duke bërë me dije se grantet në vlerën prej 30.000 denarë do të ndahen për gjithsej 90 shkolla, edhe atë 65 në nivelin e arsimit fillor dhe 25 në nivelin e arsimit të mesëm. Që shkolla të jetë fituese potenciale e granteve përkatëse, duhet që paraprakisht të kenë planifikuar integrimin në aktivitete mësimore dhe jashtë mësimore në programet e tyre vjetore të punës, e të cilat duhet të jenë miratuar nga MASH jo më larg se 31 gushti i këtij viti. Kjo, sepse aktivitetet me të cilat konkurrohet për përfitimin e atyre granteve, duhet të realizohen më së voni deri në fund të vitit shkollor 2017/2018. Pastaj, që mësimit me paralele të përziera t’i jepet karakteri i vullnetarizmit, pra të duket si “aktivitete me vetë participim”, në kushtet e parashtruara me Thirrjen publike të MASH-it, thuhet se “parakusht për përfitimin e granteve është pjesëmarrja financiare e shkollave me të paktën 10 për qind nga shuma e përgjithshme e vlerës së grantit”. Mjetet, sikurse qëndron më tej, mund të sigurohen nga ana e shkollave, komunës, komunitetit të biznesit dhe prindërve. Aplikimi mund të bëhet deri në datën 21 dhjetor. (koha.mk)